TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2026, 13:50

"Der Spiegel": Rama shpenzon miliona për Kanye West, ndërsa Shqipëria zien nga protestat

Shkruar nga Pamfleti
"Der Spiegel": Rama shpenzon miliona për Kanye West, ndërsa
Edi Rama

Revista gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një artikull vendimit të qeverisë shqiptare për të financuar koncertin e Kanye West në Tiranë, duke e vendosur këtë zhvillim në sfondin e protestave politike që kanë përfshirë vendin.

Sipas Der Spiegel, Kanye West prej vitesh ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për muzikën e tij, por edhe për deklaratat e shumta antisemite, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare, e cila po përballet me kritika dhe protesta në vend, ka vendosur të shpenzojë miliona euro për organizimin e koncertit të reperit amerikan.

Artikulli gjerman vë në paralelizëm figurën e kryeministrit Edi Rama me atë të Kanye West, duke theksuar se të dy janë përballur prej vitesh me kundërshtime publike dhe polemika.

“Edi Rama dhe Kanye West janë mësuar me vërshëllimat dhe kundërshtimet. Të dy për vite me radhë arritën të tërhiqnin vëmendjen publike me provokime të qëllimshme”, shkruan revista gjermane, duke shtuar se të dy tashmë duket se kanë humbur një pjesë të ndikimit që kishin dikur në publik.

Sipas artikullit, kundër mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë po zhvillohen protesta ku marrin pjesë dhjetëra mijëra qytetarë. Protestuesit, sipas Der Spiegel, e akuzojnë qeverinë për korrupsion, autoritarizëm dhe për një afërsi të tepruar me Donald Trump.

Në anën tjetër, revista kujton se edhe Kanye West nuk pritet më me të njëjtin entuziazëm në skenën ndërkombëtare.

Për shkak të deklaratave të tij të shumta antisemite, shkruan Der Spiegel, reperi amerikan është bërë figurë e padëshiruar në shumë vende dhe përballet me reagime të forta sa herë shfaqet publikisht.

Mbi 4 milionë euro për një koncert dhe një arenë të përkohshme

Sipas medias gjermane, rrugët e Edi Ramës dhe Kanye West tashmë janë bashkuar përmes një eventi të madh muzikor në Shqipëri.

Kanye West pritet të mbajë koncertin e tij në periferi të Tiranës, ndërsa qeveria shqiptare ka planifikuar të shpenzojë më shumë se 4 milionë euro për realizimin e këtij aktiviteti.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume, sipas artikullit, do të përdoret për ndërtimin e një arene të përkohshme ku do të zhvillohet koncerti.

Der Spiegel thekson se vendimi vjen në një periudhë kur qeveria shqiptare ndodhet nën presion të madh politik, por autoritetet vazhdojnë ta mbështesin projektin.

Kryeministri Edi Rama, sipas revistës, ka argumentuar se financimi u bë “në minutën e fundit”, në mënyrë që Shqipëria të mos vihej në një situatë të sikletshme përballë mijëra vizitorëve të huaj që kishin blerë tashmë bileta për koncertin.

Sipas Ramës, rreth 25 mijë persona nga jashtë Shqipërisë pritet të marrin pjesë në këtë event, ndërsa shumë prej tyre kishin frikë se koncerti mund të anulohej.

Revista gjermane shkruan se kryeministri shqiptar ka deklaruar gjithashtu se në Shqipëri priten vizitorë nga rreth 80 vende të botës, të cilët do të udhëtojnë posaçërisht për koncertin e Kanye West.

Rama premton të paktën 100 milionë euro të ardhura
Një tjetër pikë ku ndalet Der Spiegel është argumenti ekonomik i qeverisë shqiptare.

Sipas artikullit, Edi Rama pretendon se koncerti do t’i sjellë Shqipërisë të paktën 100 milionë euro të ardhura.

Kryeministri ka deklaruar se rezervimet në hotele dhe struktura akomoduese janë rritur ndjeshëm si pasojë e këtij eventi.

Revista gjermane kujton se Rama prej vitesh është përpjekur të promovojë Shqipërinë si një destinacion për investime dhe turizëm ndërkombëtar, pas dekadash izolimi gjatë periudhës komuniste.

Megjithatë, sipas Der Spiegel, një pjesë e protestuesve, kryesisht të rinj, e kritikojnë kryeministrin duke e akuzuar se po e hap vendin ndaj interesave të investitorëve të huaj në dëm të interesave publike.

Në fund të analizës së saj, revista gjermane ndalet te një tjetër çështje që ka nxitur reagime të forta në Shqipëri: projekti për ndërtimin e një resorti luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas Der Spiegel, ky projekt parashikon zhvillime turistike në një zonë të mbrojtur natyrore dhe është kthyer në një nga arsyet kryesore të protestave që kanë vijuar prej javësh në Shqipëri.

Kështu, sipas medias gjermane, koncerti i Kanye West është kthyer në një simbol të debatit më të gjerë politik në Shqipëri, përplasjes mes pretendimeve të qeverisë për zhvillim ekonomik dhe kritikave të opozitarëve e qytetarëve për prioritetet e saj.

 

rama shpenzon miliona për kanye west

Lini një Përgjigje