Deputeti socialist, Erion Braçe shprehu disa rezerva lidhur me projektligjin për dëftesat tregtare për bujqësinë.
Ai u ndal te problemet që, sipas tij, vazhdojnë të rëndojnë mbi fermerët, duke përmendur imponimin e çmimeve nga grumbulluesit dhe mungesën e një ndarjeje të qartë mes aktorëve të tregut.
Braçe argumentoi se projektligji nuk do të japë rezultatet e pritshme nëse nuk shoqërohet me reforma në sistemin fiskal dhe në funksionimin e tregut bujqësor.
“Duhet ta nisim nga sistemi fiskal që kemi për prodhimin dhe produktet bujqësore, nëse s’e bëjmë, ka dështuar që tani. E dyta gjë që duhet bërë, është ndarja e zotëruesit të inputeve bujqësore nga grumbulluesi, eksportuesi e financuesi. Në rastin kur janë bashkë dhe në krahun tjetër janë edhe prodhues, çmimi që do i imponojnë bujkut është gjithnjë e më i ulët se nuk është çmendur të blejë me çmim të lartë. Shprehja që përdoret sot nga këta është: Do ta lësh shalqirin me kaq lekë? Jo. Epo ik p*rdhu se nuk ta marr, më falni për shprehjen!
Kjo është marrëdhënia tregtare sot atje në fusha! Bëjmë mirë ta ligjërojmë dhe legjitimojmë, mbrojmë bujkun dhe prodhimin e tij. Asnjë dëftesë tregtare nuk do ta mbrojë bujkun nëse nuk rregullojmë tregun, nuk rregullojmë sistemin fiskal dhe mbrojmë bujqit! Raste suksesi ka, por raste që ka nevojë të trajtohen për t’u zhbërë sepse janë pjesë e abuzimit me bujkun, janë aty dhe duhen zhbërë sa më parë që bujqit të marrin frymë”, tha Braçe.
Lini një Përgjigje