TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Nëntor 2025, 09:59

E zbuan, apo nuk shkoi: misteri i mungesës së Edi Ramës në Samitin e Brukselit

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
E zbuan, apo nuk shkoi: misteri i mungesës së Edi Ramës në
Edi Rama /

Kryeministri i vetëm i rajonit që nuk u paraqit në Bruksel, justifikohet me “angazhime të rëndësishme”, ndërsa Komisioni Europian përgatit raportin më të rëndë ndaj një vendi kandidat; Shqipërisë.

Dje në orën 14:00, në Bruksel nisi samiti i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në sallë ishin të gjithë liderët rajonalë, përveç njërit: Edi Ramës. Në vend të tij, përfaqësuesi shqiptar njoftoi se kryeministri ishte “i impenjuar në një punë urgjente”. Në të njëjtën ditë, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos shpalli strategjinë e re të BE-së për monitorimin e vendeve kandidate, një paralajmërim i hapur që lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e Shqipërisë dhe raportin sekret që Berlini ka dorëzuar për qeverinë Rama.

Dje në orën 14:00, kur në Bruksel, u ulën në një tavolinë të përbashkët të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e Bashkimit Europian, karrigia e Shqipërisë mbeti bosh.
I vetmi vend që mungoi në samitin e nivelit më të lartë ishte Shqipëria, dhe i vetmi lider që nuk u paraqit ishte Edi Rama.
Në vend të tij, Ferit Hoxha, ambasadori shqiptar në BE, u detyrua të përfaqësojë shtetin shqiptar, me një justifikim që zyrtarisht quhet “angazhim i rëndësishëm i kryeministrit”, por diplomatikisht përkthehet si krisje serioze e marrëdhënieve me Brukselin.

Burime nga përfaqësia shqiptare në BE pohojnë se mungesa e Ramës nuk ishte spontane.
Ajo përkon me publikimin e strategjisë së re të Komisionit Europian për zgjerimin, të cilën Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e shoqëroi me një deklaratë që tronditi sallën:

“Nuk dua të mbetem në historinë e BE-së si komisionerja që solli kalin e Trojës në Europë. Po shqyrtojmë masa si periudha tranzitore dhe monitorim i përhershëm për vendet kandidate.”

Asnjë vend nuk u përmend me emër, por mes rreshtave, mesazhi ishte i qartë: Shqipëria është tashmë në vëzhgim.
Dhe mungesa e Ramës në këtë takim ishte shenjë e frikës politike, jo e angazhimit diplomatik.

Në Bruksel, Komisioni Europian ka dorëzuar për vendet anëtare një raport të veçantë për Shqipërinë, i cili, sipas burimeve të “Pamfletit”, e cilëson vendin si model të pushtetit të pakontrolluar, klientelist dhe të korruptuar.
Raporti nuk është publik dhe nuk do të bëhet publik, por është shpërndarë në kryeqytetet e vendeve kryesore anëtare të BE-së, përfshirë Berlinin, që ka marrë përsipër financimin e monitorimit të Shqipërisë në periudhën e re të zgjerimit.

Në thelb, ky raport është një akt mosbesimi ndaj qeverisë Rama, që përshkruan me detaje lidhjet e errëta të qeverisë me qarqe financiare ruse dhe kineze, përfshirë skandalin e aeroportit të Vlorës, ku u zbulua origjina ruse e kapitalit përmes ndërmjetësve të Behgjet Pacollit.
Pas këtij skandali, Bashkimi Europian i ka bërë të qartë Tiranës se çdo projekt strategjik me financim të dyshimtë do të monitorohet nga afër.

Ndërkohë që Aleksandar Vuçiç, Hristijan Mickoski, Milojko Spajiç, Volodymyr Zelensky dhe Maia Sandu ishin në Bruksel për të diskutuar të ardhmen e rajonit, Rama zgjodhi të mungojë.
Madje, edhe liderët që kanë raporte të vështira me BE-në, si Vuçiç e Mickoski, ishin të pranishëm, ndërsa Shqipëria, që deklaron çdo ditë “besnikërinë euroatlantike”, u vetëpërjashtua.

Sipas burimeve diplomatike, në oborrin e Ramës po përhapet versioni se mungesa e tij lidhet me mosdëshirën për të marrë pjesë në një forum që mund të nxirrte deklaratë kundër Viktor Orbanit, mikut të tij të ngushtë.
Por kjo shpjegon pak dhe fsheh shumë: në fakt, Rama është bërë shqetësimi i ri i Brukselit, pas Budapestit.

Strategjia e re e BE-së për zgjerimin parashikon që çdo vend kandidat do të vendoset për disa vite në “periudhë prove”, ku do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për:

-  lirinë e medias,

-  sundimin e ligjit,

-  pavarësinë e institucioneve,

- dhe lidhjet me interesa të huaja.

Në rast shkeljesh të përsëritura, vendet do të humbasin të drejtën për fondet e BE-së ose mund të pezullohen nga procesi i anëtarësimit.
Ky model, i propozuar nga Berlini, është i njëjtë me mekanizmin që po zbatohet ndaj Hungarisë dhe Polonisë, e Shqipëria është kandidati i parë që pritet ta provojë.

Në këtë kontekst, mospjesëmarrja e Edi Ramës në Samit nuk është thjesht mungesë.
Është shenjë izolimi politik, një akt që paralajmëron fillimin e një epoke të re për marrëdhëniet Shqipëri–BE: të ftohta, të mbikëqyrura dhe të paqarta./Pamfleti

e zbuan apo nuk shkoi misteri i mungesës së ramës në bruksel

3 Komente

  1. x
    xxx

    Gallate ishte arsyeja qe rha Rama kur e pyeten, qr per arsye reknike fluturimi. Dmth nuk u gjet nje mundesi fluturimi per kryem deri ne bruksel! U prish carteri i bie. Turp i madh

    1. F
      Feti Dema

      Kur të ka rënë zjarri në 'shtëpi'(qeveri) nuk mund të ikësh për aheng në shtëpinë e 'vjerrës'. Z.Rama e ke shpallur botërisht se: do ta 'martojë Shqipërinë me Brukselin". Mblesja Marta Kos po i bënë biografinë Edi Ramës. Ai sipas perceptimit të 'Komisioneres'është aventurier. Me të martohesh e pasi të merë pasurinë, ta prish krushqinë. Politikanët shqiptarë djegin Shqipërinë për të shpëtuar qeverinë. Edi Rama fijohet me ne e martohet me Rusinë. "Ndaj duhet parë mirë kjo punë".

      1. l
        latifi

        Rama nuk e genjen dot me BE, si demagog eshte i mire njesoj si mesuesi i tij Nano qe fliste kunder nepotizmit dhe ne realitet e mbushi administraten me nepotizem, meritokracia u hodh ne koshin e plehrave ose perdorej si slogan sa here qe ishin zgjedhjet per te genjyer injorantet. Sistemi i ri drejtesise po provon cdo dite qe eshte i deshtuar, cfare po ben kryeministri apo me nje minister drejtesie qe ska bere ndonje gjyq ne jeten e tij kerkon te rregulloje sistemin. Je i deshtuar Rama por nga krahu tjeter eshte nje bande qe ska as ide as deshire per te rregulluar gje ne ate vend dhe arrijme tek shprehja e Nanos: Qe PS nuk eshte perfekte por jemi me te miret.

        Lini një Përgjigje