
Pika shefit, që është kthyer në një gërdallë, i cili mund të bjerë atëherë kur nuk e pret. Ndoshta më 11 shtator, ditën që ka lënë për të prezantuar qeverinë, një datë e kobshme për botën perëndimore…
Përpara dekretimit së qeverisë së mandatit të katërt të tij, Edi Rama gjendet thuajse në një pozicion me Enver Hoxhën pas pleniumit të katërt të PPSH. Kohë kur Enveri, i dalldisur nga sëmundja dhe ‘sy-gjak’ nga krimet, e bëri Byronë Politike të PPSH-së me ‘lenka e palëra’ që vinin nga klasa punëtore, pasi kishte pushkatuar e dënuar të gjithë drejtuesit e luftës dhe rindërtimit të ekonomisë së vendit.
Në të njëjtën situatë jemi sot, në vigjilje të shpalljes së “Birosë së Katërt” të Edi Ramës, ku ‘Kumbari’ i nëntokës po synon të marrë përfaqësues nga klasa punëtore, organizata e gruas, rinia e diaspora.
Po Partia Socialiste? Kjo organizatë politike, e cila së paku deri në momentin kur shkeli Edi Rama aty, ka merita në përqafimin e demokracisë perëndimore si sistem politik? E ka tredhur!
Ndërkohë politikanët realë që mund të dilnin në popull si përfaqësues së gjeneratës së shekulit të ri; i ka denigruar, i ka burgosur, i ka hedhur si kocka për qentë e politikës së vjetër, për të shpëtuar veten dhe klanin e tij.
Sot, që nga socialistët e vjetër të Fatos Nanos, bashkë me këtë të fundit, si dhe të tjerët që dolën pas tij si Saimir Tahiri e Erion Veliaj, janë shkatërruar nga “udhëheqësi i madh”. Së bashku me të tjerë që i ka ‘vrarë’ duke i nakatosur politikisht, e që s’kanë zë të bëjnë përpara për të kërkuar një status politik më të lartë.
Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Taulant Balla, e këtu mund të shtoj të gjithë emrat e kryetarëve të bashkive socialiste që kanë fituar me meritë e me mund të madh. Por që Rama i ka luftuar se i konsideronte rrezik.
Pak kush e mban mend sot Shpëtim Gjikën, i cili ashtu si Edi Rama ishte një kryebashkiak me disa mandate në Vlorë. Ja dha Adriatik Llallës si ‘karamele’ për të siguruar deftesën e tij të shtatorit si kryeprokuror i fortë, duke i futur tmerrin çdo socialisti si Gjika.
“Mos e kruaj me të gjatin”.
Partia Socialiste sot është një gërmadhë e tmerrshme që pret të ngrihet mbi rrënoja, por që askush nuk po e bën dot. Ndryshe nga Ramiz Alia, të cilin Edi Rama e urren në palcë dhe e la të vdiste pa një fjalë ngushëllimi, sepse e konsideroi rrezik për vendin. Ndoshta ishte profeci, por sa gramë njerëzillëku ka në zemrën e tij ky person që Partinë Socialiste, partinë më të madhe në vend, e ka konturuar me pikturat e tij të çmendura, duke tredhur çdo zyrtar e politikan, që e nis ditën duke i bërë ‘like’ dhe ‘share’, statuseve mediocre të të gjatit. Madje ka kthyer në patronazhistë të gjorë ish kryetarë partie, ish-ministra, që i bëjnë fresk kryetarit.
Ndërkohë që së paku duhet të ulen e të shkruajnë se ‘i gjati’ e ka kaluar cakun, e ka kthyer Partinë Socialiste në një ‘stan me lepuj’, ku as vetë nuk është bariu. Por ka mbledhur një kope ‘qensh stani’, një tugë kriminelësh që lehin dhe frikësojnë këdo që afrohet. Ja kjo është qeveria e Edi Ramës, një ‘stan me lepuj e lepurushe’, të cilët kanë frikë edhe kur bëjnë dashuri, ndaj nxitojnë se mund t’i përmendë shefi. Pika shefit, që është kthyer në një gërdallë, i cili mund të bjerë atëherë kur nuk e pret. Ndoshta më 11 shtator, ditën që ka lënë për të prezantuar qeverinë, një datë e kobshme për botën perëndimore./Pamfleti
Lini një Përgjigje