TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shtator 2025, 22:15

Çfarë do të ndodhë me Bashkinë e Tiranës? Rama lë të hapur mundësinë për zgjedhje të reja

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë do të ndodhë me Bashkinë e Tiranës? Rama
Rama-Veliaj

Rama nuk përjashton mundësinë për të çuar në zgjedhje Bashkinë e kryeqytetit...

Kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë për të çuar Tiranën në zgjedhje të parakohshme. Prej disa muajsh ai po punon nën rrogoz në bashkinë më të madhe në vend dhe sot ka dhënë për herë të parë sinjalin se gjithçka mbetet e hapur për zëvendësimin e Erion Veliajt.

I ftuar në emisionin “Opinion”, ai tha se ka kërkuar që të shohë një sërë opinionesh se si duhet trajtuar çështja e Bashkisë së Tiranës, duke qenë se kryetari i saj, Erion Veliaj, ndodhet në qeli.  

-A do vijojë Erion Veliaj të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës?

Edi Rama: Nuk e di, këtë do ta shohim në vijim. Nuk e di.  

- Pra do ketë zgjedhje të parakohshme në Tiranë apo do pritet derisa gjykata të marrë vendim?

Edi Rama: Nuk e di, kam kërkuar që të shoh një sërë opinionesh. Jo një, por disa opinione për të kuptuar se si duhet trajtuar kjo.

Kujtojmë se SPAK ka marrë të pandehur kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti. Veliaj është i akuzuar për “korrupsion pasiv” dhe së fundmi iu shtua dhe akuza për fshehje pasurie, akuza të cilat ai i ka kundërshtuar.

Në të njëjtën dosje penale, SPAK po heton edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 4 biznesmenë të tjerë.

Që nga momenti i arrestimit të tij, Rama ka komanduar në krye të bashkisë Anuela Ristanin. Po ashtu që nga ajo kohë, Rama nuk e ka përmendur më kurrë Veliajn. Fillimisht e sulmoi SPAK, por më pas u distancua dhe shkarkoi nga detyra të gjithë besnikët e Veliajt.

Lini një Përgjigje