
Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha zhvillojnë sot protestën e dytë para godinës së Kryeministrisë, e cila është në formatin e një ‘parlamenti qytetar’ ku deputetë dhe pjesëmarrës të ndryshëm mund të mbajnë fjalime dhe japin mesazhet e tyre.
Kjo është protesta e dytë brenda një jave që demokratët zhvillojnë para zyrës së Kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkojnë largimin e tij nga pushteti.
Protesta do të mbahet në orën 18:00, ndërsa një javë më parë pati një prezencë të vogël të qytetarëve. Por sipas demokratëve këto nuk janë protesta masive, por synojnë sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar, por edhe qytetarëve për atë që ndodh në sallën e Parlamentit.
Shkak për nisjen e kësaj forme proteste, sipas demokratëve ka lidhje me mungesën e hapësirave për opozitën në Parlament.
Sipas PD-së, mazhoranca po pengon zërin opozitar në sallën e Kuvendit, çka ka detyruar deputetët e opozitës që të thonë fjalën e tyre në sheshe.
Berisha ka paralajmëruar se këto formate do të jenë të përjavshme, ndërsa të angazhuara janë vetëm degët e PD-së në Tiranë.
Lini një Përgjigje