Fredi Beleri duket se nuk ka hequr dorë nga deklaratat skandaloze. Para se të mbaheshin zgjedhjet, ai deklaroi në mediat greke se kur të bëhet kryetar bashkie do të punojë për helenizimin e Himarës. Por pak ditë më pas ai përfundoi në qeli, pasi u kap duke blerë vota.
Mediat greke e kanë vizituar atë në qeli. “Ekathimerini” ka zhvilluar një intervistë me të dhe sërish Beleri vijon me avazin se Himara është zonë minoritare. Madje shkon deri aty, duke deklaruar se do t'u rikthejë tokat grekëve.
“Ata favorizojnë investitorët pranë tyre dhe presin kordonin e kërthizës së grekëve me rajonin, që është pronë e tyre atërore. Duke çrrënjosur grekët, ata sigurojnë interesat e partnerëve të tyre. Ne duam ta shohim vendin tonë të përparojë dhe helenizmin të përparojë në shtëpinë e tij. Regjimi dëshiron të përfitojë nga veçantia e rajonit dhe ta shohë helenizmin të çrrënjosur përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme, pasi do të ketë humbur pronën e tij atërore. Mendoni, sa prej jush e keni harruar fshatin tuaj kur nuk e keni mbajtur pasurinë stërgjyshore atje.
Për më tepër, duke më ndjekur dhe ndaluar mua, regjimi po dërgon një mesazh për të tashmen dhe të ardhmen, një mesazh të vendosmërisë së tij. Ndalimi im dhe privimi de facto i të drejtës për t'u zgjedhur është një mesazh i qartë pushteti dhe frikësimi”, ka deklaruar Beleri.
Madje ai ka vijuar duke thënë se “regjimi” kërkon që Bashkia e Himarës të mbetet në duart e tij. Ai këmbëngul se Himara është tokë greke.
“Nëse marr detyrat e mia, do të më vijnë në dijeni provat që nuk janë të aksesueshme sot publikisht. Kjo është dëshmi e sekuestrimit të pronës greke dhe dorëzimit tek “investitorët”. Ka prova të zhvatjes me kërcënimin e heqjes së titujve të pronësisë dhe detyrimit për të nënshkruar një parakontratë për shitjen e pronës suaj”, shprehet ai.
Beleri e ka dhe një pretekst mbi arrestimin. Duke mos thënë asnjë fjalë nëse ka vjedhur apo jo vota, ai shprehet se i vunë prangat sepse shumë qytetarë po vinin nga Athina të votonin në Himarë.
“Ata goditën sapo morën vesh se sa himariotë po përgatiteshin të vinin nga Athina për të votuar dhe kuptuan se po humbnin Himarën. Për ata që nuk e dinë, Himara nuk përfshihet në rajonet e njohura minoritare të Shqipërisë. Mbrëmjen e së enjtes, dy ditë para zgjedhjeve, pas një dite rraskapitëse, isha ulur në një kafene me avokatin dhe një kushëri, duke biseduar dhe pushuar. Aty më arrestuan në mënyrën kinematografike që arrestojnë terroristët ndërkombëtarë. Ata donin të prisnin valën e bashkatdhetarëve nga Athina që vinin për të votuar dhe të terrorizonin bashkëqytetarët shqiptarë që më përkrahnin. Që atëherë, unë jam ndaluar dhe penguar të marr detyrat e mia”, ka vijuar ai.
Më tej ai nuk ka kursyer sulmet as ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kryeministri, por dhe mediat po nxisin dhunë ndaj minoritetit grek. /Pamfleti
Lini një Përgjigje