TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Korrik 2026, 20:07

“Le Temps”: Rama po luan kartën e provokimit me Kanye West!

Shkruar nga Pamfleti
“Le Temps”: Rama po luan kartën e provokimit me Kanye West!
Foto ilustruese

Gazeta shkruan se, ndonëse eventi ishte prezantuar fillimisht si një koncert privat, më pas u raportua se organizimi i tij kishte përfshirë një shpenzim prej 4.2 milionë eurosh nga fondet publike.

Protestat që po zhvillohen në Shqipëri kanë gjetur jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. E përditshmja zvicerane në gjuhën frënge “Le Temps” i ka kushtuar një artikull situatës politike në vend, duke analizuar protestat qytetare dhe debatet që kanë shoqëruar vendimet e fundit të qeverisë.

Në analizën e saj, gazeta shkruan se kryeministri Edi Rama, përballë një vale protestash që sipas saj ka vijuar prej disa javësh, ka zgjedhur një strategji që e cilëson si provokuese. “Edi Rama po luan kartën e provokimit”, citohet të shkruajë “Le Temps”, duke iu referuar pritjes së reperit amerikan Kanye West në Shqipëri.

Artikulli ndalet edhe te figura e artistit amerikan, duke kujtuar se ai ka qenë në qendër të polemikave ndërkombëtare për deklarata të cilësuara si antisemite dhe islamofobe, si edhe për vlerësimet e tij publike ndaj Adolf Hitlerit.

Sipas “Le Temps”, polemika u thellua edhe pas publikimit të të dhënave mbi koston e organizimit të koncertit.

Gazeta shkruan se, ndonëse eventi ishte prezantuar fillimisht si një koncert privat, më pas u raportua se organizimi i tij kishte përfshirë një shpenzim prej 4.2 milionë eurosh nga fondet publike. Media zvicerane lidh këtë zhvillim me reagimet e artistëve shqiptarë, të cilët protestuan duke kërkuar më shumë mbështetje për sektorin e kulturës.

Artikulli përmend gjithashtu reagimin e ministrit Blendi Gonxhja, i cili, sipas gazetës, hodhi poshtë kritikat e artistëve, duke i cilësuar ato si “donkishoteske”.

Në analizën e saj, “Le Temps” argumenton se pakënaqësia qytetare nuk lidhet vetëm me debatin për koncertin e Kanye West, por edhe me ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura. Sipas gazetës, protestat, të cilat fillimisht u fokusuan te mbrojtja e mjedisit, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë me kërkesa politike.

Media zvicerane shkruan se protesta, e cilësuar prej saj si “Revolucioni i Flamangëve Rozë”, tashmë shoqërohet me kërkesa për më shumë transparencë, llogaridhënie institucionale dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

edi rama protestat

Lini një Përgjigje