TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Janar 2025, 16:55

Gëzimi i ‘fitores’ për Berishën zgjati 5 javë/ Si u zhgënjyen figurat ‘pikante’ të PD, që lirimin nga 'arresti' e lidhën me fitoren e Trump

Shkruar nga Pamfleti

 

 

Gëzimi i ‘fitores’ për Berishën zgjati 5 javë/

Dhe nëse nisemi nga logjika e përdorur 5 javë më parë, që lirimi i Berishës erdhi si rezultat i fitores së Trump në SHBA dhe luftës së bërë nga opozita apo presionit të saj, atëherë po rikthimi te masa e sigurisë, rezultat i kujt është?

 

Më 27 nëntor 2024, GJKKO vendosi shuarjen e masës së sigurisë arrest shtëpie për kreun democrat Sali Berisha, i cili po hetohet nga SPAK lidhur me akuzën e korrupsionit pasiv, lidhur me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Rreth 5 javë nga ky vendim, Apeli i GJKKO-së vendosi t’i caktojë Berishës masën e ‘detyrimit të paraqitjes’ 2 herë në muaj në SPAK, ndërsa Prokuroria Speciale kërkonte rikthimin e masës ‘arrest shtëpie’ për ish-Kryeministrin.

Natyrisht që masa e vendosur sot nga Apeli i GJKKO-së është shumë më e butë se ajo e ‘arrestit shtëpiak’, por e detyron Berishën që të paraqitet dy herë në muaj në SPAK, ndoshta në një procedurë rutinë, që as më shumë e as më pak, është një lloj kujtese se do të ketë punë në rrugën e përballjes me drejtësinë.

Rikthimi i masës së sigurisë për Berishës ka sjellë edhe reagimet e deputetëve apo zyrtarëve demokratë, që duket se nuk e kanë pritur që për 5 javë, shefi i tyre politik të ‘humbiste’ deri diku përballjen me SPAK. Natyrisht një humbje jo e plotë, krahasuar me kërkesën e SPAK për ta rikthyer në izolim në banesën e tij në katin e 8-të të pallatit në atë që për pothuajse 1 vit e pagëzoi si ‘Rruga e Shpresës’ nga ku mbante fjalimet nga dritarja.

Dhe pothuajse janë të njëjtët deputetë që në harkun kohor të 5 javëve kanë reaguar në forma dhe mënyra të ndryshme. E ndërsa lirimin e Berishës e pritën me ovacione dhe e trajtuan si pasojë e luftës së bërë nga opozita dhe fitorja e Trump, caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” e “shitën” si një vendim politik të drejtësisë së kapur.

Dhe nëse nisemi nga logjika e përdorur 5 javë më parë, që lirimi i Berishës erdhi si rezultat i fitores së Trump në SHBA dhe luftës së bërë nga opozita apo presionit të saj, atëherë po rikthimi te masa e sigurisë, rezultat i kujt është?

Trump ka fituar dhe çdo ditë që kalon i afron datën për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë si President. Po kështu referuar qëndrimeve publike, opozita e Berishës ka shtuar presionet, aq sa më 23 dhjetor bllokoi plot 5 rrugë e kryqëzime në Tiranë, duke lënë në rradhë me qindra e qindra njerëz, ndërsa kjo u interpretua si fitorja e rradhës me atë që e konsiderojnë si regjimin e Ramës.

Por çfarë kanë deklaruar figurat ‘pikante’ të PD në harkun e 5 javëve?

Në 27 nëntor të 2024, ditë kur GJKKO vendosi t’i heqë Berishës masën e arrestit, Agron Gjekmarkaj shkruante “fitorja e Trump arrin dhe në Shqipëri! Lirohet lideri i opozitës Prof. Dr. Sali Berisha”.

Ndërkohë më 3 janar 2025, ditën kur Apeli i GJKKO-së vendosi “detyrim paraqitje”, nënkryetari demokrat i Kuvendit shkruan “një tjetër vendim absurd i Gjykatës së Posaçme ndaj Sali Berishës. Një përpjekje e pafshehur për tu bërë krah dhe bllok i vetëm me mazhorancën për zgjedhjet e ardhshme! Shqiptarët do të dinë ti japin përgjigje me 11 Maj kësaj sfide. Historia bashkëkohore ka dëshmuar që fitimi i betejave për Sali Berishën është thjeshtë çështje kohë!”.

Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, më 27 nëntor do të shkruante: “lirimi i zotit Berisha erdhi si pasojë e zhvillimeve të vrullshme politike. E para ishte fitorja e presidentit Trump në SHBA, çka preu metastazat e Xhorxh Sorosit edhe në Shqipëri. E dyta janë rezolutat dhe mbështetja e partnerëve që i bënë PD-së. Kujtoj këtu rezolutat e CDI dhe PPE, dy rezoluta që flasin qartësisht për një shtet të kapur nga krimi dhe korrupsioni, një shtet ku opozitës i janë mbyllur hapësirat, një shtet pa liri ku drejtësia përdoret si marionetë në duart e pushtetit kundër opozitës. Flasin qartësisht për burgosjen e lidershipit të opozitës”.

Ndërsa më 3 janar, Noka shkruan: “nisi si Soros Drejtësi, e po përfundon në Surrogato Drejtësi. U janë errur sytë, u është errësuar gjykimi nga urrejtja për Sali Berishën. Këta mercenarë të verbër që i shërbejnë pa kushte narkoshtetit dhe narkokryeministrit. Duhet të paraqiteni në #SKAP, i thonë liderit të opozitës. Po pse kështu? Për të pirë kafe me Dumanin? Përse duhet të shkojë të paraqitet në SKAP-in tuaj o gjyqtar surrogato? Në SKAP nuk ka dosje e as hetim. Hetimi është mbyllur sepse dosja është në gjykatë. Analiza e këtij vendimi tregon qartësisht se Soros Drejtësia s'është gjë tjetër veçse Drejtësi Surrogato”.

Luan Baçi, deputeti i PD-së së Qarkut të Fierit, më 27 nëntor shkruante “dalja nga arresti shtëpiak është frymëmarrje shumë e madhe. Unë do ta quaja një oksigjen që i jepet frymës së opozitarizmit. Është një frymëmarrje shumë e fuqishme, është një motivim që marrin të gjithë demokratët dhe mbështetësit e PD”.

Ndërsa më 3 janar 2025, Baçi shkruan “nuk heqin dorë, nuk tërhiqen, vazhdojnë të provokojnë, me të gjitha, mjetet mënyrat dhe format, shpresojnë akoma, se mund ta ndalojnë Sali Berishën dhe të trembin demokratët, në rrugën e pakthyshme drejtë fitores së tyre në 11 Maj 2025! Me vendimin absurd dhe pa asnjë justifikim të sotëm, nuk bëtë asgjë tjetër, veçse caktuat, që dy herë në muaj, kryetari i PD profesor doktor Sali Berisha, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, do të dalë në konferencë për shtyp, para gazetareve te godina e SPAK, i shoqëruar nga mijëra demokratë dhe demokrate, për të shpalosur pjesë të programit të PD”.

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, në 27 nëntor 2024, ditën që GJKKO i shuajti masën e sigurisë Berishës shkruante “farsa ra dhe më në fund kreu i PD-së është i lirë”.

Ndërkohë sot, kur Apeli i GJKKO-së i caktoi masën “detyrim paraqitje”, Këlliçi shkruan “në një vendim krejtësisht absurd dhe tërësisht politik, sot Gjykata e Apelit të Posaçëm, vendosi të thërrasë dy herë në muaj Kryetarin e Opozitës dhe PD, Prof. Dr. Sali Berishën! Vendimi për detyrim paraqitje dy herë në muaj në këtë fazë të procesit, kur hetimet kanë përfunduar, është afërmendsh një qokë politike për Narkoshtetin e parë në Europë!  Regjimi në fakt nuk mund të jepte sërish vendim për arrest shtëpie pasi do ishte diskretitim, por edhe pa asnjë masë nuk mund ta linin Doktorin, pasi do ishte thjesht degjenerim!  Megjithatë, me vendimin e sotëm për tu çmallur dy herë në muaj me Sali Berishën, regjimi tregoi se frika i ka hyrë në palcë!”.



 

 

berisha reagime gjkko

Lini një Përgjigje