TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Gusht 2025, 14:49

Gjykata e BE rrëzoi paktin Rama-Meloni; çfarë nënkupton ky vendim për Gjermaninë?

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata e BE rrëzoi paktin Rama-Meloni; çfarë nënkupton ky
Rama dhe Meloni @Getty Images


Tronditje në BE për çështjen e emigracionit!

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian e ka bërë më të vështirë përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës për procedurat e përshpejtuara të azilit.

Shtetet anëtare të BE-së mund të hartojnë lista të vendeve të sigurta vetëm nëse tregojnë burimet mbi të cilat e bazojnë këtë vlerësim dhe nëse siguria garantohet për të gjithë popullsinë e atij vendi jo vetëm për disa grupe, vendosi gjykata në Luksemburg.

Rasti kishte të bënte me të ashtuquajturin “modeli i Shqipërisë” – një listë vendesh të sigurta të origjinës, e hartuar nga Italia. Sipas kësaj liste, kërkesat për azil të personave të shpëtuar në Mesdhe, dhe që vijnë nga këto vende, do të shqyrtohen në një procedurë më të shpejtë – dhe pikërisht në qendra të ngritura në Shqipëri. Për këtë qëllim, Italia ka nënshkruar një marrëveshje me Shqipërinë për ndërtimin e dy kampeve në territorin shqiptar.

Dy shtetas nga Bangladeshi ndërmorën veprime ligjore kundër refuzimit të kërkesave të tyre për azil. Ata kundërshtuan përfshirjen e vendit të tyre të origjinës në listën e Italisë. Vendimi i Gjykatës së BE-së tani e bën të qartë: nuk do të jetë aq e lehtë të përdoren listat e vendeve të sigurta të origjinës.

Vendimi mund të ketë rëndësi edhe për Gjermaninë

“Modeli Shqipëria” është projekti prestigjioz i qeverisë në Romë. Kryeministrja Giorgia Meloni synon që, me këtë qasje, të lejojë më pak njerëz të hyjnë në Itali dhe të kufizojë numrin e kërkesave për azil. Megjithatë, projekti është aktualisht i pezulluar për shkak të rezistencës nga drejtësia italiane. Sipas një raporti të organizatës për të drejtat e njeriut ActionAid dhe Universitetit të Barit, qendrat kanë funksionuar vetëm për pesë ditë në vitin 2024 – dhe me kosto shumë të larta.

Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mund të jetë udhërrëfyes edhe për Gjermaninë, sepse edhe këtu ekziston një listë e vendeve të sigurta të origjinës. Kjo listë përfshin, përveç vendeve anëtare të BE-së, edhe Gananë, Senegalin dhe Shqipërinë.

Kritika nga OJQ-të, mbështetje nga kancelari

Organizata humanitare “Pro Asyl” ka kritikuar ashpër “Modelin Shqipëria” dhe e ka akuzuar qeverinë e djathtë të Giorgia Melonit në Itali për një “politikë të rrezikshme të stilit jashtë syve, jashtë mendjes, që nuk shqetësohet për të drejtat e njeriut dhe fatin e personave të prekur”.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) është shprehur në parim i hapur ndaj modeleve të tilla. Gjatë një vizite në Romë në maj, ai deklaroi se Gjermania do të shqyrtonte mundësinë e zhvendosjes së procedurave të azilit, pavarësisht përvojave të deritanishme në Itali. Megjithatë, që atëherë ishte e qartë se zbatimi i kësaj nisme nuk do të ishte i lehtë./ Bild

Lini një Përgjigje