Politike16 Maj 2023, 13:49

Humbja e thellë në Shkodër, justifikohet Berisha: Nuk tërhiqem, qytetarët votuan nën presion!

Shkruar nga Pamfleti

Humbja e thellë në Shkodër, justifikohet Berisha: Nuk

Ish-kryeministri Sali Berisha ka justifikuar disfatën e thellë që pësoi në bastionin historik të PD, në Shkodër. Berisha tha se Shkodra votoi nën presionin e krimit dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Në një komunikim me gazetarët, i pyetur nëse do japë dorëheqjen pasi humbi edhe Shkodrën, Berisha tha se nuk ka ndërmend të largohet pasi sipas tij nuk i ka humbur zgjedhjet, por PS i ka fituar me mbështetjen e krimit.

"Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha poll e kundërshtarëve, por edhe tonat e nxirrnin Bardh Spahinë 14-16 pikë para. Nëse mendon ti ose ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë. Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro, jemi bindur që qytetarët e Shkodrës zgjedhjen e krimit, pushtetin e krimit s’do ta pranojnë, kjo është përgjigja ime për ju", tha Berisha. 

Ndër të tjera, Berisha ka cilësuar mungesën e emrit të tij në fletën e votimit, si një prej shkaqeve kryesore për humbjen në zgjedhjet vendore. Ai tha se Rama privoi të gjitha fondet që i takonin me kushtetutë koalicionit Bashkë Fitojmë. Gjithashtu shtoi se një tjetër faktor për humbjen ishte edhe mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës.

E kemi të qartë si në dritën e diellit përpjekjen e narko shtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij. Një aleancë krimi në nivel politik nëntokësor apo terreni, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit trinomi Rama-Doshi-Brava. Ishte shëmtia më e madhe me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës të vërtetë të koalicionit Bashkë Fitojmë ishte një akt tjetër pabarazie e madhe. Dhuna, terrori ndaj eksponentëve të opozitës është përdorur gjer në pengmarrje të tyre”- u shpreh Berisha.

Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Beci grumbulloi gati 40 mijë vota, ndërsa Spahia rreth 22.500. Kjo është hera e parë që kjo bashki fitohet nga Partia Socialiste që prej vendosjes së pluralizmit politik në vendin tonë.

humbja e thellë në shkodër 14 maji berisha