Hetimet tregojnë se grupi “Çopja” ka mbështetje të drejtpërdrejtë nga oligarku i njohur, Gjergj Luca...

Më 3 tetor 2023, editori i Pamfletit, Gjergj Zefi u sulmua brutalisht pranë zyrave të redaksisë në qendër të Tiranës. Autorët e këtij atentati ishin anëtarët e bandës famëkeqe “Çopja” të Elbasanit, një grup kriminal i strukturuar që prej vitesh ka vepruar në hije, duke kryer krime me porosi dhe duke ia dalë gjithmonë t’i shpëtojë drejtësisë.
Në krye të këtij grupi kriminal qëndrojnë emra si Endri Çopja, Klejdi (Klaus) Çopja, Renato Bodurri dhe Shkëlzen Hasanpapaj. Sipas të dhënave të SHISH dhe hetimeve të SPAK, këta individë janë skeduar për atentate, vrasje, plagosje, trafik droge dhe gjobëvënie. Renato Bodurri, i maskuar si menaxher në lokalin "Living Bar" në Elbasan, ka shërbyer si një "zar" për të realizuar krime me porosi. Ai është i njëjti person, makina e të cilit u përdor për të larguar atentatorët që sulmuan fizikisht me shufra hekuri pas shpine gazetarin Gjergj Zefi.
Por skandali më i madh nuk qëndron te akti kriminal, por te mbrojtja që këta individë gëzojnë nga politika dhe oligarkët. SPAK, edhe pse ka informacione të qarta mbi përfshirjen e Bodurrit dhe të tjerëve, nuk e ka futur në listën e të arrestuarve. Një mosveprim i tillë ngre dyshime të forta mbi ndikimin e krimit në institucionet e drejtësisë shqiptare.
Hetimet tregojnë se grupi “Çopja” ka mbështetje të drejtpërdrejtë nga oligarku i njohur, Gjergj Luca. Burime nga hetimet konfirmojnë se ky grup është paguar nga 'peshkatari' i Bablokut për të heshtur gazetarët kritikë ndaj tij. Luca, i njohur për lidhjet e tij të forta me Edi Ramën dhe qarqet kriminale, ka përdorur bandën e Elbasanit si mjet për të eliminuar kritikët dhe kundërshtarët e tij.
Por Luca nuk vepron i vetëm. Ai ka mbështetjen e Sokol Sanxhaktarit, personi që dyshohet se ka qenë ura lidhëse midis tij dhe grupit “Çopja” për të ekzekutuar sulmin ndaj gazetarit Zefi. Ky është një shembull i pastër se si oligarkia përdor krimin e organizuar për të mbrojtur interesat e saj dhe për të 'frikësuar' këdo që guxon të ekspozojë të vërtetën.
Më shqetësuese është përfshirja e politikës në këtë rrjet kriminal. Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar publikisht se Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka marrë urdhër nga bandat për të liruar Endri Çopjan dhe Argel Lulajn, dy persona që kishin kryer atentatin me tritol ndaj Lulzim Kullës në Shkodër. Sipas Berishës, Balla ka përdorur prokurorin Vath Staka për të realizuar lirimin e tyre.
Një tjetër skandal tronditës është arrestimi i ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, e cila ka porositur vrasjen e gazetarit Saimir Kodra. Krimi do të kryhej nga banda “Çopja”, të cilët ajo i kishte angazhuar përmes komunikimeve të kryera në SkyECC. Kjo dëshmon edhe një herë se si drejtësia dhe krimi i organizuar janë bërë një trup i vetëm, ku gjyqtarët e korruptuar porosisin vrasje, ndërsa politikanët dhe oligarkët i mbështesin.
Fakti që një grup kriminal si “Çopja” arrin të operojë i paprekur, me mbështetje të hapur nga oligarkët dhe politika, është një sinjal i qartë se Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi. Gazetarët, qytetarët dhe aktivistët nuk janë më të sigurt, pasi krimi nuk ka kufij. Heshtja e institucioneve është prova më e fortë e degradimit të shtetit dhe dështimit të reformës në drejtësi.
Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më! Drejtësia duhet të zgjohet dhe të veprojë, përndryshe krimi do të vijojë të diktojë fatin e Shqipërisë, duke e kthyer atë në një terren të lirë për oligarkët dhe bandat e tyre.
Koha për veprim është tani! /Pamfleti
Lini një Përgjigje