Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta pasi shkoi në Düsseldorf të Gjermanisë.
Në nisje të takimit, një grup protestuesish shqiptarë, me simbole kombëtare dhe thirrje për dorëheqjen e Ramës kanë ngritur zërin kundër veprimeve të kreut të qeverisë shqiptare.
Protestuesit ngritën pankarta dhe shprehën thirrje kundër ligjeve që sipas tyre favorizojnë privatizimin e pasurive publike, si edhe kërkuan vazhdimisht, në simfoni me revoltën në Tiranë, largimin e kryeministrit Rama.
Ky episod është i dyti i këtyre javëve, pasi Rama u prit me protesta nga shqiptarët e diasporës, edhe kur ndodhej në Basel të Zvicrës, ndërkohë që protestat masive në Tiranë kishin nisur.
Rama në Gjermani është takuar këtë të mërkurë, 1 korrik me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, në kuadër të një vizite zyrtare në Gjermani.
Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe një prej rajoneve më të fuqishme ekonomike dhe industriale të Gjermanisë, me theks të veçantë në investimet e huaja, zhvillimin e teknologjisë digjitale, arsimin profesional dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë vizitës në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (Nordrhein-Westfalen-NRW), Rama do të marrë pjesë në “Ruhr Summit”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Europë të dedikuara inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë.
Lini një Përgjigje