Media amerikane i ka kushtuar vëmendje protestave kundër kryeministrit Edi Rama, të cilat kanë hyrë në ditën e 15-të. Demonstratat, të nisura fillimisht kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në zonën e Sazanit dhe Lagunës së Nartës, janë shndërruar gradualisht në protesta më të gjera kundër qeverisë, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Në një intervistë për emisionin MS NOë në MSNBC, Rama deklaroi se negociatat për projektin prej 1.6 miliardë dollarësh vazhdojnë dhe mohoi pretendimet për konflikt interesi.
“Kur Jared Kushner dhe Ivanka erdhën këtu dhe filluam të punojmë së bashku, nuk ishte e qartë nëse Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë”, tha Rama, duke iu referuar proceseve gjyqësore me të cilat u përball Donald Trump para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Sipas kryeministrit, bisedimet për investimin kishin nisur përpara rikthimit të Trump në presidencë dhe Jared Kushner nuk vepronte në emër të qeverisë amerikane.
Rama i cilësoi kritikat ndaj projektit si “budallallëqe ideologjike”, ndërsa argumentoi se investitorët “nuk po vijnë në Shqipëri për të shkatërruar, por për të ndërtuar”.
“Mos hajdeni këtu për të luftuar me Trumpin. Nuk është beteja juaj. Doni të më bindni se papritur media amerikane, influencuesit amerikanë dhe bota amerikane po shqetësohen për flamingot në Shqipëri?”, deklaroi ai.
Projekti, i mbështetur nga kompania e investimeve Affinity Partners e Kushnerit, parashikon ndërtimin e hoteleve, apartamenteve dhe vilave përgjatë bregdetit shqiptar. Një pjesë e zhvillimit është planifikuar në zonën e Lagunës së Nartës, ndërsa një resort më i vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit.
Ndërkohë, Agjencia Kundër Korrupsionit në Shqipëri ka nisur verifikime lidhur me mënyrën se si kompanisë iu dha e drejta për zhvillimin e projektit në një zonë që më parë gëzonte status të mbrojtur. Kritikët kanë ngritur dyshime për mungesë gare dhe transparence në proces.
Pavarësisht kundërshtimeve, Rama deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe këmbënguli se investimi do të sjellë përfitime ekonomike për vendin.
“Një investim i kësaj madhësie në turizëm do të krijojë shumë të ardhura për të gjithë”, tha ai.
Lini një Përgjigje