Politike14 Dhjetor 2023, 17:42

Ku dallon Berisha nga Rama: Saliu e komandonte mafien ndërsa Edin e komandon mafia

Shkruar nga Pamfleti
Ku dallon Berisha nga Rama: Saliu e komandonte mafien ndërsa Edin e
Sali Berisha dhe Edi Rama /

Që prej vitit 2019, janë mafiozët që po e komandojnë Edi Ramën, ndërsa ky u bindet si çirak, paçka se bën sikur i komandon; mafia e ka zhytur e kapur aq keq në pazare të pista, sa e ka humbur fuqinë si kryeministër dhe është bërë avokat i tyre...

Mafia në Shqipëri nuk janë individët dhe grupet e rrugës, që bredhin me thasë droge brenda e jashtë kufijve dhe me miliona të pastruara me kulla, hotele, kazino, resorte, HEC-e, koncesione, monopole plehrash, ushqimesh, bankash e kompani ofshore.

Por janë krerët politikë, qeveritarë e shtetërore, që u kanë dhënë kontrollet e gjithë sektorëve ekonomikë-financiarë të vendit; të cilët i kanë si biznes të përbashkët dhe ndajnë fitimet, ku ata menaxhojnë, ndërsa shtetarët i furnizojnë me asete, i mbështetin, i mbrojnë dhe nuk i prekin.

Psh., Sali Berisha quan mafioz Edi Ramën, ngaqë ai ka grumbulluar rreth vetes grupin oligarkik, të cilit prej 10 vitesh i jep pasuri publike toka, troje, porte, leje për kulla, licenca resortesh, energjie dhe PPP fantazma me vlerë miliona Euro falas nga fondet e shtetit.

Ndërsa Edi Rama, thotë se mafien shqiptare e përfaqëson “non grata” Sali Berisha, duke i përmendur faktin, se gjatë 8 viteve kryeministër dha leje për 260 HEC-e private, afro 2 miliardë Euro pasuri publike me skemën “Shqipëria 1 Euro” dhe 18 koncesione, që nga ngjyrosja e karburanteve, pullat e kasat fiskale, skanimi i konteinerëve e deri te Lotaria Kombëtare.

Tashmë që është marrë nën hetim nga SPAK me masën penale “Detyrim paraqitje”, Sali Berisha thotë se vendimi për ish-kompleksin “Partizani”, por edhe për shitjen e 4 HEC-ve shtetërore, shitjen e ARMO etj.. etj., janë bërë me vendim të qeverisë.

Ndërsa Edi Rama, pas çdo hetimi dhe arrestimi ministri, krye bashkiaku e drejtori, thotë se përgjegjësia është personale, mbasi ata kanë ‘ngrënë dardha’ pas shpinës së tij, ndërkohë që mbron oligarkët dhe trafikantët ndërtues kullash e monopolistë tregjesh.

Realisht, Sali Berisha e Edi Rama janë të zhytur në afera ekonomiko- financiare, të bëra me paramendim në favor të familjarëve, miqve, ministrave e klientëve trafikantë e kriminelë, duke i veshur me ligje, vendime qeverie, urdhra e kontrata shtetërore.

Pavarësisht, se janë të njëjtë në krimet ekonomike, ata ndryshojnë mes tyre në këtë fakt:

Sali Berisha, i parapërgatitur me përvojën e pushtetit të piramidave më 1992-1997, i krijoji grupet mafioze pas ardhjes në pushtetin e dytë më 2005-ën, dhe i komandoi me dorë të hekurt gjatë pushtetit e po i komandon gjatë 10 viteve në opozitë.

Ndërsa Edi Rama, që si aferë më të madhe gjatë pushtetit në Bashkinë e Tiranës, kishte marrjen e ryshfetit 20% për çdo leje ndërtimi; pasi u bë kryeministër më 2013-ë, i gjeti gati grupet mafioze dhe i bëri pjesë personale të pushtetit të tij dhe i fuqizoi.

Në fillim, i zgjeroi me oligarkë e trafikantë, të cilët i komandonte totalisht, me fuqinë prej kryeministri që u jepte leie ndërtimi, licenca shërbimesh, troje, PPP e koncesione dhe dhuroi fonde e pasuri publike me ligje e vendime të personalizuara.

Por pozicionet ndryshuan, mbasi që prej vitit 2019, janë mafiozët oligarkë, bosët e kompanive offshore, PPP-ve dhe trafikantët ndërtues kullash e bankierë, që po komandojnë Edi Ramën dhe ky u bindet si çirak i tyre, paçka se bën sikur i komandon.

Nuk do shumë mend, të kuptohet që mafia e ka zhytur e kapur aq keq Bablokun në pazare të pista, sa prej kapjes totale e ka humbur fuqinë si kryeministër dhe është bërë avokat i tyre, siç po vepron me aferën e Rrugës së Arbrit, të Alabbar, landfilleve, pajisjeve kirurgjikale, Check-up, kompanisë së çarterit, të PPP-së Butrintit e aeroportit “Pacolli” të Vlorës etj. etj./Pamfleti

edi rama sali berisha dallimi mafia