Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se problematika e pronës në Shqipëri nuk përbën një fenomen të izoluar, por, sipas saj, është një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar sistemi politik dhe ekonomik i qeverisë socialiste.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku vendos në të njëjtin plan ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ligjin për investimet strategjike, duke argumentuar se ato janë pjesë e së njëjtës qasje. Sipas saj, njëri ligj dobësoi pozitën e pronarëve të ligjshëm, ndërsa tjetri krijoi mekanizma për kalimin e pronës publike dhe private në favor të një numri të kufizuar përfituesish.
“Njëri dobësoi pronarët e ligjshëm. Tjetri krijoi mekanizmat për kalimin e pronës publike dhe private në duart e një pakice të privilegjuar”, shkruan Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, mënyra se si është administruar çështja e pronës gjatë viteve të qeverisjes socialiste nuk mund të konsiderohet thjesht si keqmenaxhim administrativ, por si një mekanizëm i qëllimshëm për kontroll politik dhe ekonomik.
Ajo argumenton se pasiguria mbi pronësinë, regjistrat e pasaktë, moszbatimi i vendimeve gjyqësore dhe zvarritja e proceseve për pronarët kanë dobësuar pozitën e qytetarëve, ndërsa kanë fuqizuar administratën dhe pushtetin politik.
“Kur prona është e pasigurt, qytetari është i dobët. Kur dokumentet janë të paqarta, administrata bëhet e plotfuqishme. Kur ligji ndryshon sipas interesit, pushteti vendos kush fiton dhe kush humbet”, shprehet deputetja demokrate.
Tabaku thekson se ky është modeli i funksionimit të shtetit që, sipas saj, duhet të ndryshojë, pasi të drejtat kushtetuese nuk mbrohen nga ligji, por trajtohen si privilegje që varen nga vullneti i pushtetit.
Sipas saj, prona e qytetarëve është trajtuar si pronë e qeverisë, e cila vendos se kujt do t'ia japë, kujt do t'ia mohojë dhe cilët investitorë do të favorizojë.
Deputetja e PD-së i referohet gjithashtu hetimeve të SPAK-ut, të cilat, sipas saj, kanë nxjerrë në pah depërtimin e parave të pista në sektorin e ndërtimit, tregun e pasurive të paluajtshme, resortet turistike dhe kontratat publike.
Ajo shprehet se statusi i “investitorit strategjik” nuk është përdorur kryesisht për të nxitur investime në teknologji, industri apo vende të mirëpaguara pune, por për të siguruar lehtësi fiskale, procedura të përshpejtuara dhe akses në pasurinë publike për një rreth të kufizuar përfituesish.
“Ky sistem ka autorë, zbatues dhe noterë politikë. Ideatori është Kryeministri. Aparati janë ministrat dhe agjencitë. Ndërsa shumica socialiste në Kuvend ka votuar ligjet, përjashtimet dhe kontratat që e kanë mbajtur në këmbë”, shkruan Tabaku.
Deputetja kërkon ngritjen e një hetimi të plotë parlamentar për zbatimin e ligjit për investimet strategjike, transferimin e pronave publike, lehtësitë fiskale të dhëna dhe lidhjet mes përfituesve të këtyre skemave dhe vendimmarrësve.
Në përfundim, Tabaku shprehet se ndryshimi i sistemit nuk duhet të kufizohet vetëm te rotacioni politik, por duhet të shoqërohet me rikthimin e shtetit në funksion të qytetarëve, garantimin e pronës private, barazinë para ligjit dhe eliminimin e privilegjeve për një pakicë.
“Ndryshimi nuk është më vetëm kërkesë politike. Është domosdoshmëri ekonomike, demokratike dhe kombëtare”, përfundon deputetja e Partisë Demokratike.
Lini një Përgjigje