Teksa protestat për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen pa kushte të kryeministrit Edi Rama vijojnë prej 38 ditësh, profesori dhe akademiku Artan Fuga ka bërë thirrje që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet për vetëshpërndarjen e tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Fuga u shpreh se një hap i tillë do të ishte i domosdoshëm nëse deputetëve u ka mbetur ende një ndjenjë përgjegjësie morale dhe sociale.
“E mira është që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes së tij! Nëse deputetëve u ka mbetur një fije përgjegjësie morale dhe sociale!”, shkruan Fuga.
Akademiku kritikoi gjithashtu mënyrën se si funksionojnë komisionet parlamentare, duke deklaruar se gjatë pjesëmarrjes së tij në mbledhje që lidhen me kulturën, shkencën, arsimin dhe rininë është përballur, sipas tij, me mungesë përgjegjësie, profesionalizmi dhe kompetencash, si edhe me rreshtim partiak.
Fuga shtoi se këto përvoja e kishin shtyrë, prej disa vitesh, të mos merrte më pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare.
"E mira është që Kuvendi i Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes së tij! Nëse deputetëve u ka mbetur një fije përgjegjësie morale dhe sociale!
Për sa më përket, kur më ka qëlluar të jem në komisione të Kuvendit të Shqipërisë për çështje të kulturës, shkencës, arësimit, rinisë, etj., kam vënë duart në kokë nga kotësia, nga mungesa e përgjegjësisë, nga rreshtimi partiak, nga mungesa e kompetencave profesionale, përse jo edhe nga budallallëku i ndonjë deputeti apo deputeteje.
Por, nuk rikthehem më me emra se historia i ka hedhur në kosh! Kjo më ka bërë disa vite më parë të deklaroj se refuzoj nga ai çast e tutje të marr pjesë në ndonjë mbledhje komisioni kuvendor.
Ishte e kotë, dukej sikur merrje pjesë në një mbledhje kukullash me mekanizma të prishur brenda barkut prej kashte.", shkruan Fuga.
Lini një Përgjigje