Dosja e zezë20 Prill 2024, 22:20

Kush është prokurori që ka “nxjerrë nga binarët” Metën dhe skema “Sanader” e SPAK për të shkuar te arrestimi!

Shkruar nga Pamfleti
Kush është prokurori që ka “nxjerrë nga
Meta dhe Sanader, në rreth Sotir Kllapi

Si SPAK po ndjek shembullin kroat për të “gozhduar” Ilir Metën...

Ilir Meta ka nisur një luftë frontale ndaj Altin Dumanit, duke e akuzuar se kërkon ta arrestojë, t’i marrë partinë, etj. Por në të vërtetë ai i cili ka kopsitur letra për ta çuar në qeli është prokurori Sotir Kllapi. Dumani vërtet është kreu i SPAK dhe ka hapur i pari dosjen CEZ-DIA, në fakt Kllapi është ai i cili tani po heton aferën në fjalë apo lobimet në SHBA dhe është ai i cili e ka në dorë fatin e ish-presidentit.

Por kush është Sotir Kllapi, prokurori i cili mund të hyjë në histori si njeriu që i dha fund pandëshkueshmërisë 30-vjeçare?

Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit.

Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Progradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.

Prokurori Kllapi kaloi me sukses dhe me lehtësi procesin e Vetingut në maj të vitit 2019. Kllapi u konfirmua në detyrë më 13 maj të vitit 2019, duke u vlerësuar pozitivisht në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Pas emërimit në SPAK, Kllapi ka marrë pjesë në disa trajnime me ekspertë nga SHBA dhe BE.

Skema “Sanader”

Me rastin e Sali Berishës, Vangjush Dakos apo disa personave të tjerë, SPAK ka ceduar në hetime. Mirëpo te Ilir Meta, prokurori Kllapi, Dumani dhe agjentët e BKH kanë ndjekur një skemë shumë të sofistikuar, e cila duket se do ta dërgojë Metën gjatë pas hekurave. Mund ta quajmë skema “Sanader”.

Burime të sigurta i thanë “Pamfletit” se po punohet intensivisht në dy drejtime. Në njërën anë po hetohet dosja CEZ-DIA, (ku po asiston Dumani) por nga ana tjetër kemi dhe një hetim tjetër, ku janë bashkuar disa dosje. Sipas burimeve, në dosjen e lobimeve në SHBA, janë bashkuar paditë për ndërhyrjet estetike dhe për fshehje pasurie. Prokurori Sotir Kllapi po heton këtë bashkim dosjesh për fshehje të ardhurash, pastrim parash, fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh. Ashtu siç po ecin para hetimet për CEZ-DIA, po ecin hetimet dhe për dosjen tjetër ku janë pyetur shumë individë, teksa ka ardhur nga SHBA dhe një letër-porosi. Po ashtu kanë ardhur përgjigje nga shtete të tjera sa i takon ndërhyrjeve estetike. Mësohet se SPAK-u ka kryer përgjime dhe ka siguruar materiale të tjera hetimore, teksa flitet dhe për dëshmitarë të penduar. Po ashtu, SPAK ka siguruar SMS te telefoni i Monikës, teksa duket se ka pasur dhe përgjim ambiental për Metën. Po ashtu mësohet se po hetohet për pasuri të fshehura jashtë nga Meta, teksa në skaner janë futur të gjitha pronat e tij dhe të Monikës këtu.

Me pak fjalë, SPAK-u po punon në shumë drejtime dhe plani është që kur të shkohet në gjykatë, të ketë një dosje të kompletuar me prova e fakte që “gozhdojnë” ish-presidentin.

Por kjo metodë që po ndjek Prokuroria, është e ngjashme me atë që bëri homologia kroate "USKOK" kur arrestoi ish-kryeministrin, Ivo Sanader. Rasti i tij ngjason në shumë aspekte me Metën. Ish-presidenti akuzohet se ka përfituar duke favorizuar CEZ-DIA. Ndërsa Ivo Sander u dënua sepse kishte përfituar 10.000.000 € nga kompania hungareze "MOL", për ta favorizuar atë në tregun kroat.

Sa i takon hetimeve, gazetarët raportonin që Sanader mbante ora dore shumë të shtrenjta, një prej të cilave vlente mbi 100.000 Euro. Hetimi ka nisur pas indicieve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Hetimi u krye nga një skuadër, që konsistonte nga 7 Prokurorë dhe që punonin 16 orë në ditë përfshirë të Shtunat dhe të Dielat. Është arritur të merren fakte të rëndësishme, që çonin në konkluzionin se ish-kryeministri ishte përfshirë në aktivitete korruptive kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm janë kontaktuar ku kanë dhënë fakte shumë të rëndësishme veçanërisht për fillimin e procesit.

Gjatë hetimit janë marrë në pyetje më tepër se 500 persona, disa prej tyre më shumë sesa njëherë në mënyrë të përsëritur. Një prej tyre, bashkëfajtor me ish-kryeministrin, është Mladen Barisiç dhe është pyetur 19 herë, pasi prokurorët nuk besonin në deklaratat e tij. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës të vendosë monitorim me kamera dhe audio-regjistrime. Gjithashtu, një hetim i hollësishëm financiar është kryer lidhur me pasurinë e Sanader. Ka pasur një bashkëpunim me agjencinë e parandalimit të pastrimit të parave të pista, administratën tatimore dhe ndihmë të veçantë ligjore nga Austria dhe SHBA-ja.

Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh dhe me Metën. Sanader u dënua 3 herë me një total prej afro 18-vite burg dhe sinjalet janë se ky fund është i pashmangshëm dhe për ish-presidentin shqiptar. /Pamfleti