
Kreu në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka shpëthyer në kritika të forta ndaj kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, i cili vendosi të mos regjistrojë PD në zgjedhje.
Celibashi i qëndron faktit se deklarata solemne që parashikohet në Kodin Zgjedhor duhet të firmoset nga kryetari i partisë dhe sipas tij, në gjykatë kryetar figuron Lulzim Basha.
Por sipas Alibeajt, vendimi i tij është tërësisht antiligjor. Madje siaps tij, Celibashi veproi politikisht me këtë vendim të marrë sot.
“Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD. Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së”, shkruan Alibeaj.
Më tej ia ka paralajmëruar se do të ndiqen rrugët ligjore. Pra pritet një ankimim në komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve dhe nëse aty nuk arrihet sukses, shkalla e fundit do të jetë Kolegji Zgjedhor.
"Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin”, tha ai.
Duhet theksuar se pak ditë më parë Celibashi tha se ai e di që kryetari i PD-së është Berisha, por duhet të zbatojë ligjin dhe gjykata njeh Bashën.
Më herët ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili e quajti Celibashin si një njeri të shatazhueshëm. Edhe për Bardhin vendimi ishte tërësisht antiligjor.
“Asnjë njëri i shantazhueshëm dhe që nuk respekton ligjin, nuk meriton asnjë respekt. Ilirjan Celibashi ka humbur besimin e PD për të administruar procesin zgjedhor. Ai shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike. Vendimi do të ankimohet menjëherë në KAS”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje