Politike 1 Korrik 2023, 09:24

Mafia jonë i “ha” ambasadorët e BE-së me një kafshatë!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Mafia jonë i “ha” ambasadorët e BE-së me një
Christiane Hohmann, ambasadorja e sapolarguar e BE

Po zonja Christiane Hohmann pse u largua pa asnjë histori?!

Fshatit tonë nuk ia ndjen as për Evropën që gënjen tre herë në vit, as për ambasadorët që shkojnë e vijnë si sulltaneshat e Bablokut në Sarajet e Surrelit.

Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, u largua që në vitin e parë të mandatit tre vjeçar. Meqë iku pa hedhur asnjë hap në rrugën ku krimi i organizuar shtetëror demonstron forcë e arrogancë të frikshme edhe mbi Europën, ç’duam ne?!

Fshati ynë nuk është se ka shumë kërkesa dhe pritshmëri.

Këtej me punët e mëdha merret mafia qeveritare dhe sekserët e diplomacisë. Për ish kryeministrin britanik Tony Blair, nuk ka as BE, as Fe, që e di ç’bën e sa paguhet nga taksat e fshatarëve tanë.  

Fshatarëve u mjaftojnë vogësirat; a do mbajë koha për hashashin, do Prendia e nuk i rrëshqet këmba deputetit, kryebashkiakut, policit, prokurorit që të kemi ku të trokasim për t’u mbrojtur nga ndonjë përplasje aksidentale me ligjin.

Fërkimi me fenomenet është i butë.

Edhe lagimi i ambasadores së BE-së, përkon me dy ngjarje të bukura, njëra diplomatiko- romantike, tjetra romantiko- diplomatike.

1-Përfundimi i mandatit të ambasadores Yuri Kim shkoi sipas planit të Sulltaneshë Olta Xhaçkës. Iku siç tha Olta, por u ngrit në detyrë se e la mirë me të gjithë.   

2-Martesa e Luigji Sorecës në moshën 58 vjeçare, i lumturoi të gjithë shqiptarët që diplomati më në fund u bë familjar.

Mafia jonë i “ha” ambasadorët e BE-së me një
Luigi Soreca

Soreca kishte emër në Shqipëri.

Erdhi si Gjigandi i antimafies, por fshatatët nuk e deshën ashtu. E vizatuan dhe fiksuan si bandill çapkën i historive rozë. Këtej i kanë xhan don zhuanët që nuk bëjnë hapa pas as në pendesë as me pengesë.

Kanë sakrifikuar pushtet e pasuri ministra, politikanë e pushtetarë, prandaj nuk bëri figurë të keqe ambasadori i BE-së me “Urdhër Mbrojtjeje”. Edhe këto ditë që vjen një ish tjetër i madh, ka plas gallata në fshat.

Babloku, i tmerruar nga hetimi i dosjes kriminale McGonigal, fshihet pas fotografisë së një ish Presidenti amerikan dhe shet p*rdhë nëpër fshat; e dini kush është ky, dhe për kë vjen?!

Fshatarët nuk i hapin sytë andej. Kanë hallet e veta me Safetët e tyre e nuk u plas fare, kush është miku i madh, ish- i Bablokut, apo, a do ta takojë me Safet burrninë e Shukriun që pasi arnoi mbathjet me pe burgu, sot mbledh vota antiamerikane për partinë e hajdutëve.

Po zonja Christiane Hohmann pse u largua pa asnjë histori?!

Ky është lajmi që fshatarët e lajnë dhe e thajnë në logjikën e tyre.

Nuk ua ndjen as për Evropën që gënjen tre herë në dy fjalë, as për ambasadorët që shkojnë e vijnë si sulltaneshat e Bablokut në Sarajet e Surrelit.

Fshatarët tanë e kanë mendjen hu.

Votojnë non-gratat, orientohen nga Saliu, Iliri, Babloku, Vangjushi, Qifoja, Sukriu, Safeti e kompani, pastaj mbjedhin një rresht misër e një hashash e ju duket Kukësi si Londra, Gjiri i Lalzit si Brukseli, Surreli më madhështor se Manhattani, e mbi të tëra, janë krenar se Mafia jonë i “ha” ambasadorët e BE-së me një kafshatë!/Pamfleti

mafia ambasadorët e be christiane hohmann