
Ministrja e Ekonomisë i kalon zëvendësministrave kompetencat që ligji i kërkon t’i ushtrojë vetë, për të shmangur firmat që mund ta çojnë në hetim
Delina Ibrahimaj ka firmosur katër urdhra në të njëjtën ditë për delegimin te zëvendësministrat të të gjithë kompetencave kryesore të ministrit. Delegimi i pandërprerë dhe pa arsye ligjore tregon përpjekjen për të shmangur përgjegjësitë penale në procedura me fonde, prona dhe koncesione, në një kohë kur ministrat e kabinetit të Ramës janë nën presionin e SPAK.
Ngjitja e SPAK në kupolën e qeverisë ka krijuar frikë hetimi dhe prangash te ministrat që Edi Rama i ka vendosur në poste për të firmosur dhe për të realizuar pazaret që ai bën me klientët e tij shqiptarë dhe të huaj.
Pas ministrave Mirela Kumbaro, Blendi Gonxhe, Evis Sala, Pirro Vengu, Andis Salla dhe Petrit Malaj, të cilët i kryejnë punët e pista përmes delegimit te vartësit për të shmangur përgjegjësinë, të njëjtën praktikë ka ndjekur Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Për të shmangur goditjet e SPAK, ministrja Delina Ibrahimaj, më 14 nëntor 2025, ka nxjerrë katër urdhra për delegimin te katër zëvendësministrat të të gjitha kompetencave që ka si ministre për vendimmarrjet dhe si autoritet kontraktor.

Me Urdhër Nr. 52, datë 14 nëntor 2025, ministrja Delina Ibrahimaj ka deleguar 13 kompetenca te zëvendësministrja Olta Manjani. Disa prej tyre janë projektet e financimit dhe kontratat me subjekte private për formimin dhe arsimin profesional, si edhe negociatat e projekteve financiare të marrëveshjeve të huaja.
Me Urdhër Nr. 53, datë 14 nëntor 2025, ajo i ka deleguar 12 kompetenca zëvendësministrit Martin Kajo. Disa prej tyre janë projektet e financimit të startupeve, mbështetja financiare e punonjësve lëvizës digjitalë, planifikimi dhe menaxhimi i fondeve për shërbime inovative dhe mbështetja e sektorëve të ekonomisë në bashkëpunim me sektorin privat.
Me Urdhër Nr. 54, datë 14 nëntor 2025, ajo i ka deleguar 15 kompetenca zëvendësministres Blerta Rama. Disa prej tyre janë fondet për strehimin social, procedurat e kontratave koncesionare dhe PPP, administrimi dhe privatizimi i pronave shtetërore, marrëveshjet ekonomike me shoqëri private dhe kompani shtetërore, si edhe caktimi dhe dhënia me ankand e zonave ekonomike dhe teknologjike.
Me Urdhër Nr. 55, datë 14 nëntor 2025, ministrja ka deleguar 13 kompetenca te zëvendësministri Enkelejd Musabelliu. Disa prej këtyre kompetencave janë hartimi dhe firmosja e projekt-vendimeve dhe akteve nënligjore që paraqiten për miratim në Këshillin e Ministrave, hartimi dhe firmosja e marrëveshjeve të tregtisë, investimet e huaja, licencimi i kompanive dhe planifikimi i ndihmës financiare dhe garancive shtetërore në banka.
Në urdhrat e delegimit, ministrja citon përcaktimin ligjor se këto janë kompetenca të saj. Por fakti që ajo abuzon me fondet, pasuritë dhe koncesionet, dhe frika nga SPAK, e ka shtyrë të përdorë si “bedelë” vartësit e saj.
Sipas ligjit, delegimi i kompetencave duhet të jetë i përkohshëm dhe bëhet vetëm kur titullari është me leje vjetore, në shërbim jashtë vendit ose në pamundësi shëndetësore për të qenë në zyrë. Ndërsa ministrja Delina Ibrahimaj i ka deleguar kompetencat deri në përfundim të mandatit si ministre./Pamfleti
pune hajdutesh