TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Prill 2025, 12:21

Me këngë e valle, Rama nis zyrtarisht fushatën për 11 majin në sheshin ‘Skënderbej’

Shkruar nga Pamfleti

Me këngë e valle, Rama nis zyrtarisht fushatën për 11 majin

Drejtuesi socialist për Dibrën, Blendi Klosi mbajti një fjalim të shkurtër ku nuk munguan lavdet për Ramën. 

Nën moton ‘Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS’, socialistët çelin zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit në sheshin Skënderbej.

Fillimisht, fushata u hap nga qarku i Dibrës të cilët kërcyen valle në mes të sheshit. Ndërkohë, drejtuesi socialist për Dibrën, Blendi Klosi mbajti një fjalim të shkurtër ku nuk munguan lavdet për Ramën. 

“PS fiton zgjedhjet sepse ju ka të gjithëve ju me vete, drejtohet nga Rama vizionar që shndërroi Shqipërinë dhe e ka sjellë më pranë BE. Ne nga qarku Dibër erdhëm këtu me valle, siç pritëm Ramën kur inauguroi rrugën e Arbrit. Ne jemi një parti e madhe kemi kaluar shumë sfida por sfidën më të madhe kemi mirëqënien e qytetarëve. Besojmë te kjo forcë politike, besojmë në fitore. Do të jemi pjesë e BE brenda këtij mandati ndaj të votojmë Dibra e gjithë Shqipëria Edi Ramën dhe PS”, u shpreh Klosi.

Më pas, ishte qarku i Fierit të cilët 'surprizuan' me një këngë ku kërcyen e kënduan në mes të sheshit "Skënderbej". Ishte Belinda Balluku ajo që mbajti fjalën si drejtuese e qarkut Fier. As Balluku nuk i kurseu lavdet për Ramën, ndërsa tha se me Edin në krye asgjë nuk mund të na ndalë.

"Mirë se erdhët në sheshin më të madh të Shqipërisë në ditën e festës së PS. Do ta nis me djemtë këtu që bën një këngë popullore që njeh gjithë Fierin, më pas si të gjithë shqiptarët që kishin një ëndërr largohen nga vendi për të bërë jetën e tyre diku tjetër. Këta janë miqtë e mi të Free MC që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë votuar kurrë deri më sot. Free MC voton për PS ashtu sic do votojë gjithë Shqipëria, Fier dhe çdo shqiptar. Nuk ka mç bukur kur mblidhemi të gjithë bashkë dhe kjo energji shkon në themel të Shqipërisë për ta çuar këtë vend përpara siç vetëm Rama di. Kërkojmë një mandat të katërt që duket si shumë, por ky është mandati i shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë njëherë e mirë në Evropë për ta bërë vendin pjesë të BE. Shqiptarët që janë më europianë se kushdo tjetër dhe tashmë është koha që t’i bashkohen asaj tryeze. Fieri ka një objektiv, 10 mandate deputetësh për t’i ulur në parlamentin shqiptar. Ndërkohë priten, 11 mandate nga ne. Nëse ne jemi të gjithë bashkë për Shqipërinë, me Ramën në krye nuk ka asgjë që na ndal", tha Balluku.

Edhe Kukësi e çeli fushatën me valle. Eduard Shalsi, drejtuesi politik i Qarkut të Kukësit, është i bindur se Partia Socialiste do të marrë dy mandate. Por, gjithashtu edhe Shalsi si kolegët e tij, i tha disa fjalë të mira për liderin Ramë.

“E kam parë shpesh këtë shesh, por kurrë më optimist dhe shpresëdhësnës. Më kujtohet Edi Rama nga kati i dytë i bashkisë, nuk e meritonte këtë emër. Historia e këtij sheshi është transformimi total që bëmë. Ja ku jemi sot, epitomë e europianizimit, idenë e ka pasur Edi Rama shumë vite më parë.

Kukësi nuk është një krahinë, është traditë, zemër, histori, përshëndetje për tropojanët, hasjanët dhe kuksianët. Kukësi ka treguar mikpritje për kosovarët, jam mirënjohës. Edhe në qarkun e Kukësit ka filluar transformimi dhe europianizmi, edhe në Viçidol ujësjellën e kishte sjellë Edi Rama. Kukësi me dy mandate, ua shpërblejmë me punë”, tha Shalsi.

Durrësi është prezantuar në fushatën e PS me një performancë me këngën italiane “Sarà perché ti amo”. Drejtuesja e qarkut, Emirjana Sako tha se synojnë që për këtë qark garën ta mbyllin të paktën me 9 mandate.

“Gjej momentin të përshëndes emigrantët që na ndjekin nga rrejttë, qytetarë të Shijakut, Durrësit dhe krijues që do i kemi mbështetje të jashtëzakonshme më datë 11. Hyjmë në këtë garë si fitues me 8 deputetë, do ta përfundojmë garën të paktën me 9 deputetë. Do bëjmë çmos që vota e 11 majit të bashkojë të rinj e të moshuar tek numri 5 i fletës së votimit”, tha Sako.

Qarku i Lezhës spikati me prezantimin në çeljen e fushatës së PS, ku u prezantuan jo vetëm me Luhutën e Malësisë, por edhe Nikolla i Vogël recitoi poezinë Gjuha Shqype të Gjergj Fishtës. 

Drejtuesi politik i Qarkut të Lezhës, Ulsi Manja u shpreh se nga ky qark, PS kërkon 4 nga 7 mandate. 

“Më 11 maj do kthejmë Europën në këtë shesh për të folur shqip. Më 11 maj, Lezha, Kurbini dhe Mirdita do të votojnë Edi Ramën dhe PS për të marrë jo më pak se 4 mandate, nga 7 që ka Qarku i Lezhës. Respekt dhe na priftë e mbara më 11 maji. Mos harroni. Edi Rama, Partia socialiste, numri 5”, u shpreh Ulsi Manja.

Drejtuesi politik i radhës nga socialistët që mori fjalën në sheshin Skënderbej, në tubimin festivo-politik që po mbahet me rastin e çeljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, është Arbjan Mazniku nga qarku i Elbasanit.

Mazniku u shpreh se synimi për PS është që në qarkun e Elbasanit të marrë 9 mandate, rezultati më i mirë ndonjëherë.

“Ashtu si gurët e këtij sheshi që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, sot Shqipëria është bashkë. Sot jemi në udhëkryq dhe kemi sfidën për të bërë realitet ëndrrën për t’u bërë qytetarë të Europës, të barabartë.
Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Cërriku, Peqini, Përrenjasi, Belshi e kanë ndarë mendjen, me PS dhe Ramës drejt Europës. Qarku i Elbasanit është i vendosur për 9 mandate, një nga rezultatet më të mira që kemi pasur ndonjëherë. Shqipëria e ka ndarë mendjen, me PS dhe Ramën drejt Europës”, tha ai.

Shkodra ka qenë ekipi i radhës në performancën e çeljes së fushatës. Beci me ekipin e tij kanë hyrë fillimisht me këngën ‘Si ke ndje’, që ishte edhe kënga e fushatës lokale në 2023, ku PS-ja mori fitoren e bashkisë.

Pas performancës, ka marrë fjalën Benet Beci, drejtuesi politik i Qarkut të Shkodrës, i cili është shprehur se beson që PS mund të marrë më shumë se 5 mandate në Shkodër.

“I keni nisur me këtë këngë të fitores së 2023-ës, ‘Si ke ndje zoja Shkodër’. Ishte kënga e zhvillimit. Ajo frymë e zhvillimit ka nisur të shpërndahet kudo: në Pukë, Fushë-Arrës, Vau Dejës, kudo, dhe besoj se fitorja do të jetë më e madhe se në 2023. Shkodra është kthyer në një kantier ndërtimi, nga hyrja deri në Dukagjin. Shkodra është porta e Europës në Shqipëri. Jo vetëm hyrja e Shkodrës, jo vetëm autostradat, jo kthimi i Shkodrës në qendër rajonale. Besimin që na dha Shkodra. Së paku me 5 mandate do të jemi për këtë fitore. Shumë faleminderit që Kryeministri ka kthyer kokën nga ne dhe besoj se do të jemi edhe më shumë se 5 mandate në këtë qytet”, është shprehur Beci. 

Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, Elisa Spiropali, foli përpara socialistëve, duke u kërkuar votën e 11 majit për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.

“Përshëndetje nga Shkodra deri në Sarandë, nga Tropoja deri në Konispol, nga Kavaja, nga Rrogozhina, nga Kamza dhe nga e gjithë Tirana ku do fillojë fitorja e madhe e Partisë Socialist.

Betejat elektorale, ashtu si dhe betejat e tjera nuk fitohen në sprintin e fundit. Sot ka nisur sprinti i fundit. Po fitohen në maratonë. Dhe në këto tre mandate, Edi Rama dhe kjo skuadër ka treguar që janë manatorakë politik për Shqipërinë. Betejat fitohen kur ke vizion, kur ke lider, kur ke alternativë.

Me Shqipërinë në Europë apo në gropën e atyre ku kemi qenë, ku nuk dolën dot as vetë? Ky është misioni historik për të bërë realitet ëndrrën e paraardhësve tanë, për të ardhmen e fëmijëve tani, për ata që nuk kaluan dot detin, për ata që punuan por nuk ia dolën. Sot Shqipëria është europiane dhe më 11 maj ne do fitojmë”, u shpreh Spiropali.

Drejtuesi politik i qarkut Berat, Ervin Demo prezantoi kandidatët për deputetë të Beratit për zgjedhjet e 11 majit. Ashtu siç nuk munguan komplimentet nga kolegët e tij, edhe Demo i tha "dy fjalë" për Ramën. Ai u shpreh se Berati është me zemër me Edi Ramën për projektet madhore që do e transfromojnë qytetin.

Më tej, ai tha se në zgjedhjet e 11 Majit do të marrin një rezultat të jashtëzakonshëm.

“Përshëndetje nga Skrapari në Poliçan nga Dimali në Kuçovë dhe nga Berati i magjishëm. Ne jemi të gjithë europianë sepse jemi krenarë që jemi shqiptar. Nuk ka rrugë për integrim nëse nuk jemi komod në lëkurën tonë. Jemi krenar që në Berat kanë ndodhur transformime. Data 11 maj është udhëkryq i rëndësishëm për vendin tonë. Ne në Berat jemi me zemër me Edi Ramën. Jemi të bindur se 11 Maj do jetë rezultat i jashtëzakonshëm.  Kemi projekte madhore që do të transformojnë Beratin, rruga Berat Skrapar. Lidhja me Korçën, Përmetin, Gjirokastrën e kthen Beratin në motor tranformimi. Në 11 maj kemi vetëm një fjalë numrin 5 dhe Edi Ramën", tha Demo.

 

Si duket, Edi Rama ashtu si në fushatën për zgjedhjet lokale të 2023-shit, ku me dajre e tallava mori fitoren nëpër bashki, po ndjek sërish të njejtën strategji për të mashtruar e manipuluar popullin për zgjedhjet e 11 majit.

Partia Socialiste ka zgjedhur që ta hapë ndryshe fushatën elektorale të 11 majit. Në mes të skenës janë vendosur edhe 12 yje të cilët përfaqësojnë edhe 12 qarqet e vendit, në secilin prej tyre do të qëndrojë drejtuesit i qarkut së bashkë me kandidatët për deputetë të PS.

Folësit në këtë fushatë është menduar që të jetë vetëm një fjalë nga drejtuesit politik të qarqeve që do të prezantojnë edhe kandidatët, ndërkohë do të kulmojë edhe me fjalën e kryeministrit Rama. Fokusi i tij do të jetë mbi simbolikën e socialistëve në këtë fushatë me ‘Shqipërinë 2030 vetëm me Edin dhe PS’ që është edhe slogani i fushatës së tij.

Kujtojmë se një ditë më parë, Rama organizoi një takim me gratë socialiste në Teatrin e Operas dhe Baletit, një aktivitet që zgjati mbi dy orë.

Gjatë fjalimit të tij, ai vuri në pah rolin thelbësor të grave në strukturën e Partisë Socialiste dhe në rezultatin elektoral, duke u shprehur se vota e tyre do të jetë vendimtare. Ai gjithashtu deklaroi se beson fort që në të ardhmen Shqipëria do të ketë një kryeministre grua – dhe sipas tij, ajo do të vijë nga radhët e socialistëve./Pamfleti

Lini një Përgjigje