TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Dhjetor 2025, 21:52

Ministri i Drejtësisë pa Certifikatë Sigurie, i ndalohet aksesi në dokumentet sekrete!

Shkruar nga Pamfleti
Ministri i Drejtësisë pa Certifikatë Sigurie, i ndalohet aksesi
Besfor Lamallari

Lamallari ja delegon zv/ministrit aksesin në dokumentet sekrete...

Ministrit të Drejtësisë, Besfor Lamallari, i është kufizuar aksesi në dokumentet sekrete. Edhe pse është Ministria e Drejtësisë ajo që ka korrespondencat me të gjitha shtetet partnere për dërgimin e letërporosive, kreu i këtij institucioni duket se është pa Certifikatë Sigurie.

Sipas një urdhri të publikuar në Fletoren Zyrtare, Lamallari ia ka deleguar zv/ministrit Tedi Dobi kompetencën për të pasur akses në informacionet sekrete. Në urdhër thuhet se ky delegim do të zgjasë derisa ministri të sigurojë kushtet ligjore.

Pas kalimit nga Ministria e Brendshme ku ishte zv/ministër, te Ministria e Drejtësisë, ai duhej të pajisej me Certifikatë Sigurie të re. Nuk dihet pse Lamallari ka mbetur pa Certifikatë Sigurie, çështje harrese apo nëse DSIK ka zbuluar probleme në figurën e ministrit, pasi ka 4 muaj si ministër.

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës; të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr. 8678, datë 14.5.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë’, të ndryshuar; të neneve 28 dhe 29, të ligjit nr. 44/2015, ‘Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë’; të pikave 2 dhe 3, të nenit 11, të ligjit nr. 90/2012, ‘Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore’, si dhe të ligjit nr. 10/2023, ‘Për informacionin e klasifikuar’,

URDHËROJ:

-Delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Drejtësisë për nënshkrimin e dokumentacionit të klasifikuar, nga data 22.12.2025 deri në plotësimin e detyrimeve ligjore për njohjen me informacionin e klasifikuar, te zëvendësministri i Drejtësisë, z. Tedi Dobi.

-Ngarkohet zëvendësministri i Drejtësisë, z. Tedi Dobi, për zbatimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në urdhër.

Çfarë është “Certifikata e sigurisë së personelit” (CSP)?

Certifikata e sigurisë së personelit (CSP) është dokumenti zyrtar i autoritetit shqiptar përgjegjës për sigurinë e informacionit të klasifikuar ose i një autoriteti kompetent përgjegjës i sigurisë së një vendi tjetër, i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

Sa u takon afateve, afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit fillon vetëm pas paraqitjes së plotë dhe pranimit të dokumentacionit nga ana e AKSIK dhe zgjat deri në 120 ditë kalendarike. Ky afat mund të jetë më i gjatë kur verifikimet kushtëzohen nga kryerja e procedurave në bashkëpunim me autoritetet e sigurimit kombëtar të vendeve të tjera, ose kur drejtori i përgjithshëm i AKSIK udhëzon kryerjen e verifikimeve shtesë.

Nivelet e CSP janë: “Konfidencial”; “Sekret”; “Tepër sekret”.

Tipet e CSP që lëshohen nga DSIK janë: për njohjen, ruajtjen, administrimin apo transferimin e informacioneve të klasifikuara të NATO-s; të informacioneve të klasifikuara të BE-së; të informacioneve të klasifikuara, të prodhuara nga institucionet tona shtetërore ose/dhe të përftuara në kuadrin e bashkëpunimit dy- ose shumëpalësh me shtete dhe organizata të tjera ndërkombëtare. /Pamfleti

lamallari certifikate sigurie

1 Komente

  1. T
    Te mjerët

    Kushedi sa garanci ka certificata e ketij shteti te korruptuar kalbaroq.?????...ketu e ka marr ferra uraten......fal plehrave qe qeverisin

    Lini një Përgjigje