
Në KAS po diskutohen pretendimet e kandidatit të koalicionit ‘PD-ASHM’, Aulon Kalaja, i cili garoi në listën e hapur në Qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit. Kalaja pretendon se votat e tij janë manipuluar, ndërsa është favorizuar një tjetër emër nga lista e hapur e PD-së.
Bëhet fjalë për ish-prokurorin Arjan Ndoj, i cili ka marrë mandatin e deputetit, duke u renditur rreth 1 mijë vota më shumë se Kalaja.
Por në argumentet që paraqiti në KAS përmes përfaqësuesit të tij, Kalaja pretendon se në të paktën 9 qendra votimi ka pasur manipulim të votave, duke ia zbritur atij ose duke i cilësuar votat sit ë pavlefshme. Ndërkohë në një qendër votimi, Arjan Ndojit i janë shtuar 3 vota, nga 12 i është shënuar në procesverbal 15 të tilla.
Këto pretendime kandidati Kalaja i ka ngritur bazuar në pamjet filmike të procesit të numërimit të votave, ndërsa kërkon hapjen e kutive dhe rinumërimin dhe rivlerësimin e votave. Kërkesa e kandidatit Kalaja mbështetet edhe nga një prej partive aleate të PD, në zgjedhjet e 11 majit.
“Në një rast kemi evidentuar se në ekran shfaqen 31 vota për kandidatin Arjan Ndoja dhe në procesverbal na rezultojnë 37 vota. Ka raste edhe kur u janë hequr e shtuar kandidatëve të tjerë. I kemi me minuta dhe kohë në 69 kuti që kemi verifikuar deri tani”, tha përfaqësuesi ligjor i kandidatit të PD-së.
Por anëtari Ilir Rusmali i kërkoi shpjegime nëse ky trend dhe verifikim çonte në ndryshimin e rezultatit dhe dyshimin e arsyeshëm se Kalasë dhe të tjerëve u ishin hequr vota sa për ndryshimin e rezultatit. Kalaja vetë u shpreh se kishte dyshime të forta me provat e deritanishme se ka devijim rezultati, ndaj kërkoi jo vetëm hapjen e 69 kutive për të cilat dorëzuan prova, por për të mbi 500 kutive në qarkun e Durrësit, pra në total.
Përfaqësuesi i kalasë solli si precedent Tiranën, ku vetëm me disa fakte u vendos hapja e të gjitha kutive. KAS kërkoi më shumë prova konkrete në lidhje me shifrat dhe trendin që konfirmonte ndryshim rezultati.
Kalaja e sfidoi Komisionin, duke i kërkuar që nëse i linin kohë, ata ishin vetë gati që t’i verifikonin të mbi 500 kutitë në qendra votimi filmimet që kishin marrë me USB dhe më pas t’ia dorëzonin me “Timecod”.
Lini një Përgjigje