TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Qershor 2025, 12:39

PD kërkon në KAS hapjen e kutive, Bele: Edhe kot s'mund ta bëjmë, s’do rrimë gjithë beharin këtu

Shkruar nga Pamfleti

PD kërkon në KAS hapjen e kutive, Bele: Edhe kot s'mund ta

Partia Demokratike ka kërkuar nga KAS të rihapë edhe kutitë e votimit në qarkun e Vlorës për zgjedhjet e 11 majit. Demokratët përmes Franc Nurit pretendojnë se ka parregullsi me fletët e votimit, ndërsa kërkojnë shpalljen të pavlefshme të rezultatit dhe përsëritjen e zgjedhjeve. Kjo është një kërkesë standarde që PD e paraqet për të gjitha qarqet, ndërsa nuk dihet nëse dy anëtarët e KAS-it, Ledio Braho dhe Ervis Çefa, do të kërkojnë hapjen e kutive, ashtu siç vepruan në rastin e Tiranës dhe Fierit.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës, relatori i KAS, Koli Bele, u shpreh se për Vlorën ishte bërë prova me hapjen e disa kutive dhe nuk rezultoi asnjë parregullsi, pasi fletët e papërdorura ishin gjetur të gjitha. Ai shtoi se nuk mund të hapen kutitë kot më kot pa asnjë provë bazike dhe konkrete, sepse ndryshe do kalonin të gjithë beharin me një procedurë të pavlerë.

“Edhe kështu hap kutitë kot, nuk shkon. Le të rrimë gjithë beharin me këtë gjë këtu, e të shkojmë deri në fund korrikut me çështjen. Ne i pamë kutitë e Vlorës që hapëm më parë dhe nuk u panë parregullsi”, tha Bele.

Por Nuri u shpreh se ka pretendime nga PD se ka fletë që mungojnë në kutinë e votimit.

“Duhet të gjendet nëse mungojnë 5 fletë votimi të papërdorura apo numrat e ndryshëm nga procesverbali në kuti, pse mungojnë ato fletë dhe ku janë, ose si janë gjendur në kuti. Dilnin në një kuti më shumë fletë votimi sesa të përdorurat”, tha Nuri.

Përfaqësuesja e PS, Elena Xhina e quajti të pakuptimtë kërkesën e PD-së dhe zvarritje proceduriale pa sens.

“Ky proces nuk ma më kuptim kështu të zvarritet pa objektiva madhorë. Kjo duket si një gur i madh që rrokulliset dhe nuk dihet se çfarë do marri përpara. Nuk shkon ky proces pa një objektiv madhor dhe prova. Për mua është e kot të vazhdojmë kështu, nuk ka sens”, u shpreh ajo.

Administrata e KQZ nënvizoi se pretendimi i PD-së nuk qëndronte për Vlorën, ishin hapur kutitë, verifikuar edhe gjatë procesit ku nuk u gjetën problematika. Ata shtuan se subjekti po ngatërronte objektin e diskutimit, me disa kuti të tjera, që nuk ishin të Vlorës.

KAS më pas i dha kohë KQZ-së që të sillte një përgjigje zyrtare nëse qëndronte pretendimi i PD-së për mungesë fletësh te kutia e votimit apo mosrakordim të tyre në shifra, krahasuar me procesverbalet dhe ato që gjenden brenda kutisë.

Lini një Përgjigje