Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i ka rikujtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kërkesën e tij për një interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, duke theksuar se ajo duhet të merret në konsideratë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Korreshi përdori tone ironike, duke deklaruar se deputetët janë kategorizuar dhe se disa prej tyre, që i quajti “fshatarë”, nuk po marrin radhën për të ushtruar të drejtën e tyre.
Ai theksoi gjithashtu se situata në Spitalin e Lushnjes është urgjente dhe nuk mund të presë derisa ministrja të jetë e disponueshme për interpelancë.
“Korreshi me nder jush jam bërë edhe unë një kërkesë për interpelancë me shoqen ministre të punëve të shëndetit. Janë kategorizuar këtu deputetët, ne fshatarëve nuk na vjen radha? Kujtohet para ’90, kur mbaja radhën për vaj guri, kur më vinte mua radha nuk kishte më vajguri.
Edhe kjo pjesa e interpelancës po në të njëjtin nivel jeni. Në Lushnje nuk pret situata se kur do ta ketë terezinë ministrja. Ajo ka ca batuta të bukura e thotë në fund të vitit por deri atëherë nuk premton situata për spitalin e Lushnjes.", u shpreh Korreshi.
Lini një Përgjigje