Tre të rinj kanë përfunduar në pranga në kuadër të hetimeve për vrasjen e 19-vjeçarit Youssef Rama Abdelaziz, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një sherri në qytetin Crema të Italisë.
Mësohet se një prej të arretsuarve poër këtë ngajrje, është me origjinë shqiptare.
Sipas mediave italiane, viktima u plagos disa herë në gjoks, plagë që rezultuan fatale. Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë një përplasjeje mes grupeve rivale, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë pistën e një larjeje hesapesh.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ANSA, e cila raporton se në orët e para të pasdites së dielës karabinierët arrestuan tre persona të moshës së re, mes tyre një shtetas me origjinë shqiptare dhe dy të rinj afrikanë.
Sipas hetuesve, shqiptari është identifikuar nga një dëshmitar okular, ndërsa një rol të rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes kanë luajtur edhe pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në parkingun e supermarketit në Viale Repubblica, aty ku ndodhi sulmi.
Gazeta Il Giorno shkruan se të arrestuarit janë të moshës 23 deri në 25 vjeç dhe se njëri prej tyre është shtetas italian. Pas goditjes me thikë ndaj 19-vjeçarit, të dyshuarit dyshohet se u larguan nga vendi i ngjarjes, duke kaluar përmes provincës së Cremës deri në Milano.
Sipas të njëjtit burim, ngjarja ndodhi gjatë natës mes 11 dhe 12 korrikut, kur në parkingun e një supermarketi shpërtheu një konflikt mes dy grupeve të rinjsh. Gjatë përleshjes, Youssef Rama Abdelaziz u godit disa herë me thikë në gjoks.
Edhe pse i plagosur rëndë, 19-vjeçari arriti të përshkonte disa dhjetëra metra përpara se të rrëzohej pa ndjenja në asfalt. Ai u transportua në spital, por nuk mundi t'u mbijetonte plagëve.
Tre të arrestuarit pritet të dalin sot para gjyqtarit hetues, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivin e krimit.
Lini një Përgjigje