
Po flitet për një lëvizje të fortë në qeveri, ku do të duhet që Rama të joshë ata veriorë që i dhanë votën më 14 maj.
Ka disa ditë që në çarshitë e politikës së mazhorancës, të vetëkënaqur nga rezultati i 14 majit, po zien kazani i thashethemeve për ndryshime të mëdha në qeverinë e Edi Ramës.
Në këto ambjente, që më shumë se sallone apo klube të diskutimit politik, janë ‘akshihane sulltanatesh’, ku konsumohen veneracione e gossipe shik për “bëmat” e udhëheqësit të gjatë që puth e përqafon gjithë gratë e Europës. E bashkë me to, nën zë kalojnë si në një makinë mishi zërat që vijnë nga lart për “të rejat” e atyre që ose e kanë mërzitur sulltanin e gjatë, ose i kanë shkaktuar ndonjë urth në stomak apo artrit në kolonë.
Bashkë me thashethemnajën e zakonshme, nën shoqërinë e tymnajes së purove kubaneze, po qarkullojnë prej ditësh fjalë se udhëheqësi ka menduar të ndryshojë qeverinë. Po thonë se do ta bëjë kabinetin më politik, edhe në vazhdën e traditës që tashmë u instalua në 2021, ku Rama betonoi konceptin e “sekretarëve të parë” nëpër qarqe, ku Belinda, Niko, Bledi e Mirela, si anëtarë të Birosë shpërndanin miradina për popullin që të pakënaqej sa më pak.
E këtë herë, po flitet për një lëvizje të fortë në qeveri, ku do të duhet që Rama të joshë ata veriorë që i dhanë votën më 14 maj.
E kjo nuk nuk mund të vazhdojë me tre ministra nga një qark si Gjirokastra, ndaj duket se do të ketë ndryshime drastike.
E meqë do bëjë ndryshime, Rama mësohet se mund të kryejë edhe ato lëvizje që nuk mund t’i bëjë në situata normale.
Kështu Olta Xhaçkën, e cila përballet me një vendim të Kushtetueses për çështjen e konfliktit të interesit në Dhërmi, po thuhet se do ta zëvendësojë me kreun e qarkut Shkodër, Elisa Spiropali.
Ndërkaq, Enkel Joti, ish-drejtori i RTSH që dha dorëheqjen për t’u bërë zv/ministër te Mbrojtja, po përflitet ose si zëvendësues i Ogerta Manastirliut në ministrinë e Shëndetësisë, ose të marrë ministrinë e Çështjeve Sociale, duke e ndarë dikasterin që e bashkoi në 2017. Gojët e liga thonë se Ogerta i ka kërkuar vetë Sulltanit të largohet, pasi po përpiqet të largohet sa më shumë nga rrezja e SPAK-ut, që fletet se e ka kontegjent për ‘kurbanin’ e ardhshëm të Bablokut.
Një tjetër emër që përflitet se do të iki është edhe Frida Krifca, e cila ka qenë një përfaqësuese e një oligarku shumë të madh në qeveri.
Sulmi i Erion Braçes kundër saj, ka bërë të mundur që të ndalohet depërtimi i ministres së Bujqësisë në strukturat e larta të PS. Pas dështimit të këtij operacioni, duket se Rama nuk do të rrezikojë që të prishë raportet me PS-në, e për më tepër një hapje e çështjes së oligarkëve.
Po flitet se do të jetë një teknokrat nga Shkodra ministri i ri i Bujqësisë, ndërkohë që për ministrinë e Financave enigmat janë të shumta.
Një tjetër zë i përhapur si nëpër dhëmbë është edhe kalimi i Belinda Ballukut si ministre e Brendshme, e kështu që hapet edhe një vend në ministrinë e Energjitikës, për të cilën po flitet sërish një ekspert nga veriu.
Ndërkaq edhe Mirela Kumbaro pritet që t’i lërë vendin Blendi Çuçit, nëse e zëvendëson Balluku, apo mund të ulen të dy në stol. Siç e dini Bledi ka akses të fortë te Sulltani përmes haremit të këtij të fundit, dhe zor se rri pa një çikë ministri…
Me një fjalë është diskutuar për një lëvizje masive në qeveri, e cila ka gjasa që të rindërtohet nga e para, edhe për arsye se nuk ka as probleme presidenti, e as probleme votëbesimi. E flitet që shpallja e tyre do të bëhet para pushimeve të gjata të verës…/Pamfleti