Politike 9 Tetor 2023, 12:48

PD denoncon rritjen e çmimit të naftës: Vjedhje e pastër nga xhepat e qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti

PD denoncon rritjen e çmimit të naftës: Vjedhje e pastër

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina deklaroi sot se Shqipëria ka aktualisht çmimin më të lartë të naftës në rajon, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë paguajnë 7 taksa për çdo litër karburant, nivel rekord krahasuar me vende të tjera në botë.

Në një deklaratë për mediat, Karabina u shpreh se një pjesë e këtyre taksave shkon në arkën e shtetit dhe dy prej tyre për kompanitë koncensionare.

“Rritja e çmimit të naftës në tregun shqiptar është vjedhje e pastër në xhepat e qytetarëve, për sa kohë që vendet e tjera e kanë më lirë se ne dhe ulja e çmimit në bursë nuk reflektohet në ndryshimin e çmimit te ne. Ne jemi në mesin e 25 vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë edhe pse jemi prodhues, të tri vendeve me çmimin e naftës më të shtrenjtë në Europë dhe me çmimin e naftës më të shtrenjtë në rajon”, theksoi ajo.

Sipas Karabinës, qeveria e ka në dorë uljen e çmimit të karburanteve duke ulur apo hequr përkohësisht taksa të caktuara, taksa të cilat po vështirësojnë çdo ditë jetesën e shqiptarëve.

“Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët paguajnë shumë më tepër taksa për një litër naftë krahasuar dhe me vendet e rajonit. Ulja e çmimit të karburantit do të ishte një lehtësim për vështirësinë që po kalojnë familjet shqiptare dhe që po i detyron të largohen nga vendi. Mungesa e politikave të përshtatshme dhe mbështetjes me fonde buxhetore ka sjellë varfërinë e qytetarëve”, theksoi ajo.

Karabina i kërkoi institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar rritjen abuzive të çmimit të karburanteve.

pd cmim nafte qytetare vjedhje