
Pavarësisht se Berisha vlerësoi disa emra para mbledhjes së Kryesisë, duket se PD nuk ka asnjë figurë bindëse brenda saj dhe do shohë kandidatët e pavarur...
Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar sot me fokus garën për Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkitë e tjera, nuk u shpall asnjë emër kandidati. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, konfirmoi se opozita nuk do të garojë me një përfaqësues të sajin, por do të mbështesë një kandidat të pavarur në zgjedhjet vendore të 9 Nëntorit.
Berisha deklaroi se modeli i kandidaturave të pavarura do të ndiqet jo vetëm në Tiranë, por edhe në pesë bashki të tjera ku do të mbahen zgjedhje të pjesshme.
“Ishte një mbledhje e veçantë, pati një diskutim të gjatë të përgjegjshëm, të lirë. U shprehën mendime gjerësisht për problematikat. Ajo që predominoi dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë është që PD, ndonëse ka kandidatura kalibri pa asnjë lloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do të konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur, të cilët garojnë si të tillë dhe konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së. Besoj se në një valë me këtë, nga diskutimet paraprake janë edhe forca të tjera opozitare. Kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por edhe në bashki të tjera. Ky është një moment për të gjithë ata qytetarë, specialistë e ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Ramës, të matin forcat e tyre në interes të qytetarëve”, tha Berisha.
Por çfarë ndodh nëse nuk del asnjë kandidat i pavarur apo ka më shumë se 1 kandudaturë?
“Do zgjedhim se cili gjykohet më i zgjedhshëm. Një njeri që të ketë aftësitë për të bindur më shumë se kushdo tjetër qytetarët. Do jenë diskutimet që do ta zgjedhin. Nëse s’del asnjëri, janë të pavarurit e propozuar nga partitë”, tha Sali Berisha.
Kryedemokrati bëri të ditur se për këtë do të ketë një afat prej 2-ditor. Nëse nuk del asnjë kandidat i pavarur brenda dy ditësh, atëherë do të zgjidhet një nga propozimet e figurave. “Mendoj se dy ditët e ardhshme do ishte e përshtatshme. Ftoj personalitetet e këtij vendi të guxojnë sepse ne i mirëpresim me shumë sinqeritet”, shtoi ai.
Në nisje të mbledhjes, Berisha përmendi disa emra të PD-së, që sipas tij, janë kandidatë më të mirë se Manastirliu. Por duket se askush nuk shihet si kandidat potencial.
“U garantoj që çdo qytetar me integritet i Tiranës është 5 herë, 10 herë i pakrahasueshëm, më i denjë se Korba e Korrupsionit për atë kandidaturë. Dhe ne kemi, pa diskutim, kandidatura shumë të mira. Kanë shfaqur dëshirën e tyre publikisht Adriana Kalaja, Klevisi, Edi Paloka, që janë të pakrahasueshëm me kandidaturat e PS. Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer. Por ka lidhje me rekordin elektoral. Tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet. Ka lidhje edhe me një moment të dytë. Qindra e mijëra militantë do të donin të kishin kandidat dikë prej jush, por disa të tjerë do të donin të kishin një kandidat jashtë nesh, jo me qëllimin negativ, por me qëllimin më të mirë që të jemi sa më afër fitores”, deklaroi Sali Berisha.
Më herët dolën 3 emra nga radhët e opozitës: Ermal Hasimja, Edlira Çepani, Florian Haçkaj. Por si duket edhe ata nuk e bindin Berishën. Deri tani janë konfirmuar Ogerta Manastirliu nga PS dhe Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë sa i takon Tiranës. /Pamfleti
Kandidati i vertete eshte vetem Arlind Qori. I kulturuar ,me integritet dhe antisistem e kunder cdo korupsioni.