
Deputeti demokrat Tomor Alizoti shprehet kundër përjashtimit të Ervin Salianjit nga Partia Demokratike, ndërsa thekson se nuk mund të largojmë njerëz që kontribuojnë për PD-në vetëm se kanë mendime ndryshe.
Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Alizoti tha se ashtu sikundër ka kundërshtuar përjashtimet që donte të bënte Lulzim Basha nga PD për ata që kishin mendime të ndryshme me të, ashtu do të vepronte edhe tani.
“Partia nuk i përket askujt, partia është bashkim vullnetar i njerëzve, kur një njeri kontribuon në PD, dhe identifikohet me PD, nuk përjashtohet. Unë jam për çdo individ që është brenda partisë që të mos ketë përjashtime. Kanë mendime të tyre, ndaj kemi vuajtur 50 vjet, që të kemi mendime të lira.
Unë kam një bindje, kujtoj dikur kur Basha donte të përjashtonte Myslim Murrizin dhe kam qenë kundër”, tha Alizoti.
Në anën tjetër, deputeti demokrat e konsideron peshën politike të Sali Berishës në PD si shumë të rëndësishme dhe të madhe. Ai u shpreh se kreu i PD-së është njeriu me më shumë aksione në këtë parti.
“Mbetet faktor i rëndësishëm. Në këto momente reale të politikës këto janë faktorët të rëndësishëm politikë. Që të ndërtosh një lidership do një kohë të gjatë në politikë, nuk ndërtohet një lider se del në tv dhe flet bukur. Do kohë të piqet. Dhe Merkel, dhe Berisha kanë kaluar një kohë të gjatë në politikë dhe ajo i ka bërë lider. Edhe në CDU kjo ndodhi kur Merkel e mbylli misionin e saj dhe i la hapësirë politikës. Kjo mund të ndodhë dhe në PD, por ky është vendimi i Berishës. Pra ai i jep drejtim PD, ai e çon PD në një etapë tjetër”, tha Alizoti.
Lini një Përgjigje