TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Mars 2026, 20:30

Rama frymëzohet nga “motra” në Itali, çfarë fshihet pas ligjit për referendumet?

Shkruar nga Pamfleti

 

Rama frymëzohet nga “motra” në Itali, çfarë
Meloni - Rama

Zbardhen detaje nga ligji i PS për referendumet...

Kryeministri Edi Rama duket se është frymëzuar nga Giorgia Meloni, e cila vendosi të shkojë në referendum për të ndërhyrë në drejtësi. Edhe pse referendumi atje dështoi, kjo nuk e ka ndalur Edi Ramën që të bëjë të njëjtën gjë.

Ishte kreu i grupit të PS, Taulant Balla, ai i cili doli sot në një konferencë për mediat dhe njoftoi se PS e ka gati ligjin për referendumet. Aktualisht vendi ynë e ka të pamundur mbajtjen e një referendumi, pasi nuk ka ligj. Kushtetuta i njeh referendumet, mirëpo politika ka shmangur krijimin e një ligji që drejton procesin.

Mirëpo, teksa opozita i ka mbyllur derën Ramës, ky i fundit do të fusë në lojë referendumin, i frymëzuar pikërisht nga Meloni. Dhe ligji duket se është qepur në mënyrë të tillë që Rama të mos dështojë si “motra” e tij italiane.

Sinjalet janë se Rama po mendon për të sjellë ndryshime të forta zgjedhore, teksa sinjalet janë se ligji do përdoret edhe për të prekur drejtësinë.

Në ligj është përcaktuar që parimi i pjesëmarrjes në 50 për qind të jetë vetëm për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa për të ndërhyrë në ligje, kufiri ulet. Ndërkohë përdoret një term “zgjedhës të regjistruar”, i cili nuk është shumë i qartë nëse bëhet fjalë për lista të zgjedhësve apo do të ketë regjistrim më parë.

"1. Referendumi kushtetues është i vlefshëm nëse në të marrin pjesë të paktën 50% e zgjedhësve të regjistruar. Rezultati i referendumit vendoset me shumicë të thjeshtë të votave të vlefshme.

Referendumi për shfuqizimin e një ligji është i vlefshëm nëse në të marrin pjesë të paktën 40% e zgjedhësve të regjistruar. Rezultati i referendumit është i vlefshëm kur votat e vlefshme përbëjnë të paktën 30% të numrit total të zgjedhësve të regjistruar.

Referendumi për një çështje është i vlefshëm nëse në të marrin pjesë të paktën 30% e zgjedhësve të regjistruar. Rezultati i referendumit është i vlefshëm kur votat e vlefshme përbëjnë të paktën 25% të numrit total të zgjedhësve të regjistruar”, thuhet në draft.

Sa i takon procedurave, 1/5 e anëtarëve të Kuvendit mund të vendosin të kërkojnë nisjen e procedurave të votimit me referendum të ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga Kuvendi. Ndërkohë, Kuvendi me të paktën 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve mund të vendosë të mbahet një referendum për ndryshime kushtetuese.

Pas miratimit, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i dërgon menjëherë Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës: projektligjin me ndryshimet kushtetuese të mbështetura nga të paktën 2/3 e votave të anëtarëve të Kuvendit, për rishikim të Kushtetutës nëpërmjet referendumit, ose, sipas rastit dhe kërkesën e një të pestës së deputetëve, që kërkojnë zhvillimin e referendumit kushtetues mbi një ligj të miratuar nga Kuvendi për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjin e miratuar nga Kuvendi.

Gjykata Kushtetuese, në rastin e shqyrtimit të një projektligji për rishikimin e Kushtetutës nëpërmjet referendumit kushtetues me mbështetje të të paktën 2/3 të anëtarëve të Kuvendit, ose të një kërkese të të paktën 1/5 së deputetëve lidhur me zhvillimin e referendumit kushtetues, shqyrton paraprakisht kushtetueshmërinë e mbajtjes së referendumit kushtetues sipas pikës 4 ose 5 të nenit 177 të Kushtetutës.

Kur Gjykata Kushtetuese vendos që propozimi të paktën 2/3-ve të anëtarëve të Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës nëpërmjet referendumit kushtetues dhe teksti i projektligjit bashkëlidhur me dispozitat që propozohen për rishikimin e Kushtetutës janë në pajtim me Kushtetutën ose nuk shprehet brenda afatit, Kuvendi mblidhet dhe voton ndryshimet kushtetuese. Presidenti i Republikës cakton datën e zhvillimit të referendumit, në përputhje me pikën 3 të nenit 152 të Kushtetutës.

Kur Gjykata Kushtetuese vendos se kërkesa e bërë nga të paktën 1/5 e anëtarëve të Kuvendit për referendum kushtetues është në pajtim me Kushtetutën ose nuk shprehet brenda afatit, Presidenti i Republikës cakton datën e zhvillimit të referendumit, në përputhje me pikën 3 të nenit 152 të Kushtetutës.

Në ligj janë përcaktuar edhe procedurat e votimit, përbërja e komisioneve, etj. /Pamfleti

rama meloni

2 Komente

  1. K
    K

    Shih rrushi rrushin e piqu! La nam nga paniku i drejtesise. Me referendum njelloj si ne itali do jete rezultati. Drejtesia nuk preket!

    1. E
      E VERTETA

      Po populli nepermjet mbledjes se nje numri te caktuar firmash nuk paska te drejte te kerkoje zhvillimin e referendumit per nje ceshtje te caktuar. Kjo nuk eshte demokraci. Sidomos per rastin tone qe Parlamenti eshte mbushur me deputete qe i cakton kryetari i Partise ne listen e mbyllur. Pra vijon tendenca e kryetareve te partive per ta mbajtur sistemin te mbyllur.

      Lini një Përgjigje