
Kryeministri Edi Rama nuk e ka humbur momentin për të goditur Albin Kurtin. Në veri të Kosovës pati tensione ditën e sotme, pasi kryetarët e rinj të komunave u futën në zyrë mes gazit lostjellës dhe të shtënave me armë.
Rama në një reagim në rrjetet sociale shprehet se një gjë e tillë dëmton Kosovën në rrugën drejt BE. Rama ka dalë në mbështetje të SHBA, pasi përfaqësuesit e saj kritikuan fort qeverinë e Kosovës.
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Rama.
Krerët e komunave serbe në veri të Kosovës arritën të futen në zyrat e tyre pas disa orësh tensionesh dhe kaosi. Pas betimit që bënë një ditë më parë, kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut - që të gjithë shqiptarë - sot u nisën për të shkuar në zyrë.
Mirëpo në të tria komunat pati protesta të fuqishme nga serbët, të cilët nuk pranojnë drejtimin e tyre. Kjo bëri që të ndërhyjë policia e Kosovës, e cila ka lëshuar gaz lotsjellës për të lejuar futjen e krerëve të komunave në zyrë.
Por policia u përball me përplasje, ku nuk munguan të shtënat me armë zjarri, djegiet e makinave dhe konfrontimet. Për pasojë 5 efektivë mbetën të plagosur. Tensionet zgjatën disa orë, por policia arriti që në fund të largojë turmat dhe kryetarët e komunave të marrin detyrën. Që të tria komunat janë të rrethuara nga policia dhe forcat speciale. Ndërkohë në gatishmëri u vendosën KFOR dhe EULEX.
Lini një Përgjigje