
Kushtetuesja shqyrton sot kërkesën e qeverisë për shpalljen e paligjshëm të vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut nga detyra...
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sot lidhur me ankimin e qeverisë për pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Pas vendimit të GJKKO pati një ankimim në Kushtetuese nga ana e qeverisë, ku kryeministri pretendon se vendimi i gjykatës është antikushtetues, pasi ka ndërhyrë në kompetencat e tij.
Gjykata u mblodh fillimisht të enjten e javës që lamë pas, por mbledhja e Kolegjit u shty për sot, ku do të vendosë nëse do të kalojë në seancë plenare kërkesa e qeverisë apo jo.
“Kolegji u mblodh ditën e sotme sipas planifikimit. Me kërkesë të gjyqtares Marsida Xhaferllari, e cila kishte marrë njoftim për aktet pasditen e datës 26.11.2025 dhe në përputhje me nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, i cili parashikon se gjyqtarët duhet të kenë në dispozicion kërkesën dhe aktet e kërkesës të paktën dy ditë përpara mbledhjes së Kolegjit, u caktua që shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji ditën e parë të punës, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 02.12.2025”, njoftoi gjykata të enjten.
Në kërkesën e dërguar në Kushtetuese Këshilli i Ministrave thotë se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetenca e 3 organeve të shtetit: kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.
Sipas qeverisë Belinda Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së qeverisë gëzon të drejtat si deputete.
Qeveria në argumentet e saj i referohet të nenit 103 të Kushtetutës, ku shprehimisht thuhet:
1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Lidhur me vendimin e GJKKO reagoi dje edhe kryeministri Rama. Ai u shpreh se nuk ka asnjë presion ndaj Kushtetueses, teksa vijon këmbëngul se ka shkelje të Kushtetutës.
“Pavarësisht nga unë, na ne, nga ata që sot jemi dhe nesër s’jemi. Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës, do legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin, do krijonte precedent të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional do ndodhet diçka që është e panjohur në Europë.
Duhet të jesh krejt i verbuar nga urrejtja për ta kthyer dhe këtë konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësor në një konflikt politik siç bëjnë për çdo gjë të mbyturit e kënetës. Hidhen përpjetë mbi llumin e tyre për të kapur nga dyert e prokurorisë ushqimin për opozitarizmin, në këtë rast nuk e tregojnë dot, një rast në Europë dhe botë po të duan, që u pezullonka anëtari i qeverisë me vendim gjykate. Nuk e gjejnë dot se nuk ka dhe nuk kanë se si dhe ku e nxjerrin. Pezullimi i një ministri me iniciativën e një prokurori dhe një gjyqtari është rrëmbim i kompetencës së kryeministrit”, tha Rama.
Të shohim sot se çfarë do të vendosë Kushtetuesja, nëse kryeministri legjitimohet ta vërë në lëvizje për këtë rast apo jo. /Pamfleti
Ore a është konflikt intersi edhe deputet edhe minister,,,, është ligji gabim apo kryeministri ka thyer ligjin,,,
Neni 103 thote: Po nuk ishe hajdut nuk ben per minister te kryehajdutit EDVIN