Muxhahidinët, Mossadi dhe harta e Iranit: Shqipëria në rrezik nga Teherani!
24 orë para sulmit izraelit mbi Iranin, muxhahidinët në Manzë publikuan një video me AI, që paralajmëronte saktësisht objektivat e goditura. A është thyer pakti që Edi Rama nënshkroi fshehurazi me Iranin nën ndërmjetësimin turk?
Vetëm një ditë përpara se të nisnin sulmet e befasishme izraelite ndaj Iranit, muxhahidinët e strehuar në Manzë shpërndanë një video paralajmëruese, krijuar përmes inteligjencës artificiale, në gjuhën shqipe, ku denoncohej ngritja e një “rrjeti të fshehtë për prodhimin e bombës bërthamore” nga regjimi i ajatollahëve, në një operacion të quajtur “Plani Kafir”.
Në këtë material, i cili u shpërnda të enjten në mbrëmje, thuhej se impiantet bërthamore iraniane ndodheshin në një shkretëtirë në periferi të Teheranit, po ato lokacione që 24 orë më pas u goditën nga Mossadi përmes një sulmi të koordinuar me dronë.
Një prej burimeve që muxhahidinët cituan në videon e tyre ishte një konferencë në Uashington, ku një prej drejtuesve të lëvizjes paraqiti harta të detajuara të impianteve sekrete të Iranit.
Ky informacion, që më pas u verifikua nga sulmet reale, tregon se muxhahidinët kanë akses në rrjetet e brendshme anti-regjim në Teheran, ndoshta të njëjtat që dy vjet më parë organizuan protestat mbarëkombëtare, të cilat u shtypën me dhunë nga Garda Revolucionare.
Të gjitha këto zhvillime i kthejnë sytë nga Shqipëria, e cila strehon mbi 2 mijë muxhahidinë të MEK-ut në Manzë. Një grup që regjimi i Teheranit e ka shpallur “terrorist” dhe “armik të brendshëm kombëtar”.
A është Shqipëria sërish në rrezik?
Në vitin 2022, pas sulmit të madh kibernetik nga Irani, ku të gjitha sistemet shtetërore shqiptare u bllokuan, Edi Rama përzuri ambasadën iraniane në Tiranë, duke e shpallur “persona non grata” të gjithë diplomatët.
Por vetëm një vit më pas, nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm Hakan Fidan në Tiranë, u arrit një marrëveshje e heshtur: në ambientet e ambasadës turke u lejua vendosja e një “zyre diplomatike iraniane”, që sipas burimeve të sigurisë është zyrë operative e inteligjencës së Iranit në Shqipëri.
Në këmbim, Irani premtoi të ndalonte sulmet kibernetike, ndërsa Edi Rama dërgoi policinë për të ndaluar aktivitetin e muxhahidinëve, operacion ku pati dhe viktima. Kërkesa e Teheranit ishte e qartë: Muxhahidinët mund të qëndrojnë në Shqipëri, por nuk duhet të zhvillojnë veprimtari aktive politike ose propagandistike nga territori shqiptar.
Por me publikimin e fundit të videos me AI dhe rikthimin e aktivitetit të muxhahidinëve në mënyrë të drejtpërdrejtë në çështjen bërthamore iraniane, duket se paktet janë thyer.
Këtë e konfirmojnë edhe reagimet zyrtare: Teherani ka paralajmëruar publikisht kundër vendeve që strehojnë dhe lejojnë veprime të “grupeve subversive”, ndërsa Erdogan ka rikujtuar se “vijat e kuqe janë kaluar”.
A mund ta godasë Irani Shqipërinë?
Ushtarakisht, është e pamundur që Irani të sulmojë me raketa një vend të NATO-s si Shqipëria, për më tepër që kjo do i jepte Shteteve të Bashkuara një pretekst të drejtpërdrejtë për kundërgoditje. Por veprimi i drejtpërdrejtë nuk është e vetmja rrugë.
Irani ka vite që ka ndërtuar rrjete informale, jo vetëm të propagandës dhe dezinformimit në Ballkan, por edhe të veprimit në terren, përmes sabotazhit, spiunazhit, presioneve indirekte, destabilizimit të brendshëm dhe infiltrimeve në struktura mediatike, komunitete fetare dhe madje edhe ekonomike.
Aktualisht, përmes zyrës së tij të vendosur në ambasadën turke, dhe përmes kanaleve jozyrtare të financimit, Irani është në gjendje të rigjenerojë rrjetin e tij në Shqipëri, për të shfrytëzuar momentin e tensionit maksimal dhe për të dërguar sinjale të qarta në formën e destabilizimit të heshtur, apo edhe përmes goditjeve selektive.
Përfundimi
Shqipëria është bërë padashur pjesë e një lufte asimetrike midis Mossad-it dhe shërbimeve iraniane, duke qenë terren neutral që strehohen, lëvizin, rekrutojnë dhe operojnë dy palë:
Muxhahidinët e MEK, që bashkëpunojnë me shërbime perëndimore.
Rrjeti informal iranian, që punon në heshtje për kontroll të kundërt.
Thyerja e marrëveshjes së heshtur nga MEK, me publikimin e të dhënave që më pas u kthyen në objektiva lufte, e rihap përplasjen dhe e vë Shqipërinë në një risk real për përfshirje indirekte në një konflikt të ri.
Në këtë situatë, heshtja e institucioneve shqiptare nuk është neutralitet. Është paaftësi, ose më keq: miratim për të qenë terren i përdorshëm nga të gjithë, përballë një lufte që nuk na përket./Pamfleti
Lini një Përgjigje