Tubimi u çel me Himnin Kombëtar, ndërsa organizatorët bënë thirrje për zgjerimin e protestave në të gjithë vendin. Mesazhet kryesore mbeten largimi i qeverisë dhe ndëshkimi i korrupsionit.
Ka nisur para Kryeministrisë protesta e ditës së shtatë, e cila pritet të jetë një nga tubimet më të mëdha që nga fillimi i lëvizjes qytetare një javë më parë. Qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit janë mbledhur në bulevard me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë.
Tubimi është hapur me këndimin e Himnit Kombëtar, ndërsa më pas organizatorët kanë marrë fjalën përpara protestuesve, duke theksuar se lëvizja ka hyrë në një fazë të re dhe se kërkesat e qytetarëve tashmë shkojnë përtej çështjes së Zvërnecit.
Në fjalën e saj, një prej organizatorëve iu drejtua SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë, duke përsëritur thirrjet që janë dëgjuar gjatë gjithë javës së protestave.
“O SPAK, shqiptarët po thonë ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Jua kemi thënë dje, pardje dhe do t’jua themi çdo ditë. Protestën e organizuat ju me korrupsionin tuaj dhe na larguat për shumë vite”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Më tej, ajo theksoi se protesta nuk duhet të mbetet vetëm në Tiranë, por të shtrihet në çdo cep të vendit. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të organizohen në komunitetet e tyre dhe të mbajnë gjallë presionin ndaj institucioneve.
“Sot kam një thirrje për ata që nuk jetojnë në Tiranë. Protestoni në çdo lagje, në çdo qytet. Mos prisni që ndryshimi të vijë vetëm nga kryeqyteti. Shqipëria kërkon dorëheqje”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, atmosfera para Kryeministrisë është e ngarkuar me thirrje politike. Në duart e protestuesve shihen pankarta me mbishkrime si “Rama ik”, “Dorëheqje”, “Atdheu nuk shitet”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa organizatorët deklarojnë se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Lëvizja e nisur fillimisht si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec ka marrë tashmë përmasa më të gjera, me pjesëmarrësit që e paraqesin si një revoltë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe mënyrës së qeverisjes në vend. Organizatorët këmbëngulin se kërkesa kryesore mbetet largimi i qeverisë, ndërsa paralajmërojnë se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje