Manipulimi i Ramës me lirinë e medias, “Reporterët pa Kufij” ja "plasin në fytyrë" kryeminsitrit...
Kryeministri Edi Rama vijon të bëjë protagonistin me organizmat ndërkombëtare, sa herë ato e kritikojnë.
“Reporterët pa Kufij” dhanë alarmin pak ditë më parë për lirinë e medias, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 83, një tregues se liria e medias në vend është në rrezik.
Por edhe pse raporti ishte alarmant, Edi Rama ka tentuar ta relativizojë situatën. Kryeministri publikoi raportin e SIGMA-OECD, ku MIA (Agjencia për Media dhe Informim, organi zyrtar i qeverisë) vlerësohej për shërbimin cilësor ndaj mediave dhe publikut.
Por “Reporterët pa Kufij” reaguan menjëherë, duke ia përplasur në fytyrë Edi Ramës: “Ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të (-3) në Indeksin e vitit 2026 pasqyron sulme politike, abuzim me zbatimin e ligjit, transparencë të ulët të medias dhe kërcënime ndaj gazetarëve. Ka një rrugë përpara…”.

Kjo padyshim i “dogji” kryeministrit, i cili replikoi. Si gjithmonë, Rama kritikoi raportin e tyre, ashtu siç ka bërë me shumë raporte ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të Departamentit të Shtetit.
“Nuk thashë kurrë që ju e matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që të lexoni raportet e atyre që e bëjnë vërtet, dhe ta bëni këtë në mënyrë profesionale dhe objektive? Mund t’ju ndihmojë, sepse dalin kontradikta të rëndësishme midis vlerësimeve tuaja dhe të tyreve kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis qeverisë, medias dhe publikut në një vend të lirë si Shqipëria, ku, ndryshe nga ajo që pretenduat dikur, dhe më shumë se një herë, Agjencia e Informacionit për Median duket se ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informacionit. Kaq është gjithçka”, shkruan Rama.
Për të krijuar një ide krahasuese me vendet e rajonit, Shqipëria është shumë më keq se Maqedonia (e 45-ta) apo Mali i Zi (i 41-ti) për lirinë e medias, duke humbur 3 pozicione.
Por problemi kryesor i kësaj prapambetjeje në lirinë e mediave, më shumë sesa humbja e tre vendeve, qëndron tek simptomat që “Reporters Sans Frontières” vë në dukje për këtë lëngim të së drejtës së publikut shqiptar për t’u informuar. Ata konfirmojnë kritikat që artikulohen shpesh nga aktorët vendas, kryesisht për televizionet e mëdha që gjenden në “thundrën” e oligarkëve, të katër-pesë familjeve, që i përdorin ato sipas interesave të veta. Madje, shumë më keq se kaq, këta pronarë TV-sh janë të lidhur me politikën dhe marrin prej saj favore në sektorë si ai i dhënies së lejeve të ndërtimit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje