Politike20 Maj 2023, 09:00

Shtohen zërat kundër Berishës, kryebashkiaku i Mirditës: PD duhet të hapet, kemi nevojë për një opozitë të fortë

Shkruar nga Pamfleti
Shtohen zërat kundër Berishës, kryebashkiaku i Mirditës: PD
Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi

Albert Mëlyshi, kandidati i Bashkë Fitojmë i cili fitoi zgjedhjet në bashkinë e Mirditës, thotë se pas humbjes që opozita pësoi në zgjedhjet e 14 majit, duhet të ketë një hapje të Partisë Demokratike.

Sipas tij, edhe Sali Berisha duhet të reflektojë mbi këtë gjë dhe të ketë një bashkim të frontit të djathtë për të krijuar një opozitë të fortë që të ushtrojë trysni ndaj qeverisë për të bërë sa më mirë punën.

“Mënyra sesi gjithë faktorët kanë bashkëpunuar këtu ka qenë përtej interesave partiake. Pa dashur të përfshihem në politikën qendrore, mendoj që ajo që sot ka nevojë PD, është hapja e saj me të cilën kam parasysh që e djathta, individët që duan që Shqipëria nesër të jetë me një opozitë më të fortë dhe më konkurruese. E djathta duhet ta shohë emergjencë hapjen e PD-së me këta aktorë dhe individë që t’i shërbejnë jo vetëm të djathtës por Shqipërisë. Hapja do të thotë përfshirja e sa më shumë individëve, jo largim indivivësh. Për këtë duhet të reflektojë edhe Berisha dhe çdo i djathtë që do t’i shërbejnë Shqipërisë. Është e vetmja rrugë që opozita të ushtrojë trysni ndaj pushtetit qendror”, u shpreh Mëlyshi për emisionin ‘Pa Protokoll’. 

Duke komentuar edhe ftesën e bërë ndaj Edi Ramës për të pirë kafe në Rrëshen, Mëlyshi tha se kërkonte bashkëpunim me Ramën duke qenë se është kryeministër i vendit.

“Kam të drejtë ti kërkoj kryeministrit bashkëpunimin. Kërkoj bashkëpunimin maksial jo për kryetarin por për mirditorët”- u shpreh mes të tjerash Mëlyshi.
Mirdita ishte e vetmja nga 3 bashkitë e qarkut Lezhë ku koalicioni Bashkë Fitojmë arriti fitoren me Albert Mëlyshin i cili arriti të siguronte 6357 vota përballë kandidatit të PS-së Ndrec Dedaj i cili mori vetëm 5156 vota.

Koalicioni Bashkë Fitojmë i Metës dhe Berishës pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke arritur tëfitojnë vetëm 7 bashki kundrejt 53 bashkive të PS-së. Disfata thellohet pas humbjes së Shkodrës dhe Tropojës që prej 30 vitesh njihen si bastione të djathta. Në këto dy bashki përveç kryebashkiakut, koalicioni Meta-Berisha nuk arriti të fitojë as numrin më të madh të këshilltarëve bashkiakë. Ndërsa PD zyrtare e cila pati vetëm 14 kandidatë zyrtarë për kryebashkiakë, nuk arriti të fitojë asnjë bashki.

albert mëlyshi sali berisha pd