Sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor, emrat e parë që dalin janë nga lisat e mbyllura, më pas kalohet te lista e hapur. Në disa qarqe, ata që janë në listë të hapur mund të mos bëhen fare deputetë. Në Tiranë rrezikojnë emra si Meta, Tabaku, Alimehmeti, etj...
Sistemi me dy lista që futën Rama-Berisha, pritet të lërë jashtë Parlamentit shumë emra të rëndësishëm. Nesër pritet të prezantohen kandidatët zyrtarë për zgjedhjet e 11 majit dhe po jepen sinjale se do të ketë surpriza si në PS ashtu dhe në PD.
Rama pak a shumë e ka bërë të qartë se në listë të mbyllur do jenë vetëm drejtuesit politikë, disa deputete femra dhe personazhe të rinj. Gjithë të tjerët janë në listë të hapur. Sa i takon Berishës, emrat janë ata të primareve, por flitet se shumë nga ata që nuk kaluan dot pragun do kalojnë te lista e mbyllur. Megjithatë duhet parë.
Më poshtë po bëjmë një krahasim me rezultatin e vitit 2021 dhe me sondazhet e fundit që kanë dalë në media, si ai i Barometrit, për të kuptuar se si do të jetë gara në secilin qark dhe kush janë emrat që rrezikojnë. Sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor, emrat e parë që dalin janë nga lista e mbyllur, më pas kalohet te lista e hapur.
“Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni”, thuhet në Kod.
Në Berat, për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar dhe 5 nga lista e hapur. Në zgjedhjet e 2021, PS mori 5 mandate në Berat dhe PD vetëm dy. Pra nëse jemi tek i njëjti rezultat, nga PS 3 deputetë janë te lista e hapur, ndërkohë nga PD kemi zero.
Te PS kemi Ervin Demon dhe Juliana Memajn, që përfliten në listë të sigurt. Ndërsa në PD janë Eno Bozdo dhe Zija Ismiali, në listë të hapur janë Ledion Mara, Erion Dasho, Lefter Maliqi, etj. Që do të thotë se 3 të fundit mund të mos bëhen deputetë.
Në Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura. Më 2021, PD mori 3 mandate dhe PS 2. Nëse mbetemi tek i njëjti krahasim, vetëm 1 mandat del nga lista e hapur. nga PD rrezikojnë emra si lir Krosi, Denisa Vata apo Basir Collaku.
Në Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur. Më 2021, PS mori në Durrës 8 mandate, pra kemi vetëm 3 në listë të hapur. PD mori 6 mandate, nëse mbetemi tek i njëjti rezultat, ka vetëm 1 deputet nga lista e hapur tek opozita. Pra nga 14, 10 dalin nga lista e mbyllur dhe 4 nga lista e hapur. Emrat që rrezikojnë nga PD janë Manjola Luku, Aulon Kalaja, Andia Ulliri, Luan Hoti apo Dritan Burgjia.
Në Elbasan do të jenë 5 emra në listë të mbyllur nga 14 mandate. Edhe këtu, në 2021 ndarja është 8 mandate PS dhe 6 PD, që do të thotë jemi njësoj si në Durrës dhe po nga PD ka shumë emra që rrezikojnë.
Edhe në Fier, 5 emra do të dalin nga lista e mbyllur, nga 16 mandate në total. Në zgjedhjet e 2021, PS mori 9 mandate, PD 6, ndërsa LSI 1 mandat. Nëse ndjekim të njëjtin rezultat, PS do ketë 4 emra nga lista e hapur, PD vetëm 1, ndërsa LSI zero. Por nëse shohim sondazhet, PD është me rënie dhe PS me rritje. Që do të thotë se mandati i 6 është në pikëpyetje dhe kushdo që del në listë të hapur nga PD mund të mos bëhet deputet. Dhe disa nga emrat janë: Saimir Korreshi, Ilda Dhori apo Pelivan Bufi.
Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej. Sipas të dhënave të 2021, i bie që PD të mos ketë listë të hapur, ndërsa PS ka 2 emra. Nga PD rrezikon Arben Ristani, ndërsa në PS gara do jetë mes: Pirro Dhimës, Edjon Maliqit dhe Alda Zholit. Në listë të sigurt janë Tërmet Peçi dhe Mirela Kumbaro.
Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për çdo subjekt zgjedhor. PD dhe PS më 2021 janë ndarë 6 me 5, teksa këtë vit Korçës ju hoq një mandat dhe secili subjekt mund të ketë 2 kandidatë në listë të hapur.
Kukësi ka vetëm 1 mandat në listë të mbyllur nga 3. Përgjithësisht aty partitë janë ndarë 1 me 2 dhe i bie që njëra prej subjekteve të ketë vetëm 1 emër në listë të hapur.
Shkodra ka 4. Në zgjedhjet e 2021, PS mori vetëm 3 mandate aty dhe me të njëjtën logjikë emrat që dalin janë në listë të fiksuar. PD mori 5 mandate dhe ka vetëm 1 në listë të hapur, ndërsa PSD dhe LSI mbeten vetëm te lista e mbyllur. Nga PS emrat që rrezikojnë janë: Enertil Canaj, Ndriçim Sterkaj, Anila Gjyrezi, Besmir Lesha, Frrok Gjini, etj.
Në Vlorë janë 4 deputetë në listë të mbyllur për çdo parti. PS më 2021 mori 8 mandate aty dhe nëse kemi sërish të njëjtin rezultat, i bie 4 emra dalin nga lista e hapur dhe 4 në listën e mbyllur. Ndërsa PD ka dalë me 4 mandate, pra nuk vlen lista e hapur nëse nuk merr më shumë mandate. Kushdo që ëhstë në listë të hapur nga PD rrezikon të digjet. Dhe ata janë: Manjola Nikollo, Alta Haluci apo Dashamir Tahiri
Lufta më madhe do të jetë në Tiranë dhe sipas KQZ 12 deputetë të secilit subjekt dalin nga lista e mbyllur. Më 2021, PS dhe PD u ndanë 18 me 15 mandate. Por nëse shohim sondazhet dhe faktin që kemi parti të reja, nëse PD merr më pak mandate deputeti, atëherë lufta te lista e hapur mund të bëhet për 1 apo 2 vende. Rasti më i keq do të jetë nëse PD përfundon te 12 mandate dhe askush nga lista e hapur nuk bëhet deputet. Kjo do të thotë se do të mbetej jashtë Ilir Meta, Jorida Tabaku dhe shumë figura të tjera si Ilir Alimehmeti, Myslim Murrizi, Asllan Dogjani, etj.
Formula në Kod është e tillë, që fillimisht përcaktohet numri i mandateve mbi bazë të votës për parti. Dhe më pas shkohet te listat, ku e para shqyrtohet lista e mbyllur dhe më pas ajo e hapur. Pra kjo skemë rrezikon të djegë shumë emra me rëndësi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje