Pamjet e shpërndara nga iftari kanë futur tartakutin në një pjesë të madhe të kupolës së PS-së
Njerëzit e kupolës, por edhe ata të strukturave të PS-së, që kanë vite me Edi Ramën, kanë arritur të kuptojnë më shumë, jo nga ato ç’ka Rama thotë, por ç’ka nuk flet dhe e bën të ditur me gjeste apo mjete të tjera.
Në një gjuhë të pastër autokrati, ‘kardeshleri’ i modelit politik të Erdoganit ka implantuar prej kohësh një model të ngjashëm në udhëheqjen e PS-së. E nuk është rastësi që prej vitesh, strukturat elektorale të partisë trajnohen në akademitë e AKP-së në Stamboll, Konja, apo Izmir.
Kështu, ka kohë, që shumë politikanë socialistë, për të kuptuar se ç’mendon Rama për ta nuk pyesin më njeri, pasi e dinë se nuk e di kush këtë, por ndjekin ‘frame për frame’ të gjithë videot që shpërndan Babloku, ku janë prezentë drejtuesit e PS-së.
Ata e dinë mirë, se regjia qendrore e transmetimit, ka një listë që e harton ‘gebëlsi’ i tij Endri Fuga, se cilët nga deputetët apo të tjerë politikanë socialistë duhen nxjerrë në plan të parë, por ka të bëjë edhe mënyra sesi nxirren ato.
Ata që i nxjerrin sa më mirë që të jetë e mundur, do të thotë se mendimi është pozitiv, e kush del duke ‘shfryrë hundët’, duke u ngërdheshur, hapur gojën, a ndonjë plan tjetër i pafajshëm dhe i sikletshëm, është sinjal se gjërat nuk janë mire për atë.
Në evente të rëndësishme, rasputini i Edi Ramës për imazhin, rri vetë në autobuzin e regjisë, ku urdhëron shefin e pultit të transmetimit kë të nxjerrë në plan, e urdhëron kameramanët, ku të drejtojnë objektivin.
Kështu ishte edhe iftari i fundit, event i rëndësishëm, jo thjesht për solemnitetin që i dha Rama duke thirrur edhe ambasadorët më të rëndësishëm, por se përbënte daljen e parë pas operacionit.
E si një manjak që është, ai ka marrë ‘non- stop’ reagimet e sensacionet e njerëzve poshtë tij, por edhe ka analizuar me detaje se kush ja ka bërë ‘qokën’ më shpejt, apo kush ka munguar për ta telefonuar apo vizituar në spital.
Në këto raste, lista që bëhet konsiderohet si një renditje ekzekutimi politik. Megjithatë, mësohet se pamjet e shpërndara nga iftari kanë futur tartakutin në një pjesë të madhe të kupolës së PS-së.
Shumë veta e kanë parë iftarin e Ramës, si një demostrim politik të atyre që priten të jenë lëvizjet e Kryeministrit së shpejti, i cili ka kohë që rrudhjen e vazhdueshme të votave të elektoratit besnik socialist e kompenson me grupe interesi që vijnë nga sektorë të tjerë të votuesve. Siç është komuniteti i besimtarëve musliman, ku Edi Rama ka prej kohësh një realcion direkt dhe të fortë.
Siç ndodh në këto raste, çdo shërbim shpërblehet, e kështu një copë të madhe pushteti po marrin hap pas hapi grupe të ndryshme interesi, që nga Toma, Qifja e Imer Lala, kësaj here radha është e xhematit socialist, i cili ishte ylli i mbrëmjes në filmin që transmetoj ERTV.
Iftari që shtroi Rama, u konsiderua nga shumë njerëz në PS si politik e me sinjale që nuk ishin parë vitet e tjera, në këtë traditë që kryeministri ka vendosur. Të cilët mediat islamike po rreken ta theksojnë me forcë, madje duke bërë garë edhe me Albin Kurtin, që sipas tyre nuk po bën të njëjtën gjë si Rama.
Po ç’pati iftari i shtruar nga kryeministri?
Zakonisht iftari kolektiv, është përgjithësisht një vakt i përbashkët ku besimtarë dhe jo, mblidhen për të nderuar ritualin e Ramazanit. Por asnjëherë në iftare të tilla nuk ka një liturgji, pasi ajo jepet ekskluzivisht në xhami.
Këtë radhë jo, Edi Rama kishte nxjerrë Ahmet Kalanë, imamin e xhamisë së Rrugës së Kavajës, që e ktheu në muezin të Kryeministrisë.

Ku në mes të auditorit thirri ezanin, duke ftuar besimtarët të vinin në namaz. Natyrisht namaz nuk pati, pasi mjedisi nuk ishte xhami, e aty nuk kishte vend të posaçëm për tu falur, siç ndodh në disa iftare që organizohen në hotele apo restorante të ndryshme. Iftari i Ramës, ishte një show politik, pasi më shumë se praktikantë muslimanë, kishte njerëz që as nuk janë ritualistë, as besimtarë, e ka gjasa t’i përkasin besimeve të tjera. Por Ezani u thirr aty, jo si një lutje për tu falur apo thirrje për shpëtim siç thotë fjala në arabisht, por si një sinjal i pastër politik. Nuk ishte aspak çudi që menjëherë pas ezanit politik të hoxhë Ahmetit, i cili para pak ditësh u shpall ‘Non Grata’ nga qeveria e Shkupit, në plan të parë u shfaqën Arbër Hajdari dhe emra të tjerë që po bëjnë nxemjen për të hyrë në politikë.

Madje njëri, e nuk është çudi që të jetë njeriu me popullaritetin e rritur si analist i një reality show, të jetë ministri i ri në kabinetin e Edi Ramës. Ndoshta para mbylljes së sezonit parlamentar. Ndaj të gjithëve u ka hyrë tartakuti. Sinjali që dha Rama për të mos i dhënë mandatin Ilir Beqajt është vetëm lëvizja e parë e një tërmeti që ka shqetësuar shumë. E meqë ra fjala ku ka humbur Beqaj, sikur nuk ishte në iftarin politik të Ramës, e as nuk duket në fushatën e Shkodrës, edhe pse ka qenë udhëheqës politik?/Pamfleti
Lini një Përgjigje