
Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka reaguar pas skenave të dhunës në Kuvend. Ai u përplas fizikisht me Bledion Nallbatin, teksa në rrjetet sociale shprehet se nuk është problemi vetëm te përplasja me te, por se opozita është vënë në shërbim të Berishës duke hequr dorë nga misioni i saj.
Reagimi i plotë
Parlamenti duhet të jetë vendi i ballafaqimit të ideve, jo djep i rrëmujës dhe kaosit!
Si deputet i Kuvendit i Shqipërisë që nga viti 2017, ndihem i keqardhur për skenat e padenja në seancën e sotme plenare.
Fatkeqësisht, skenari që paralajmërova paradite për bllokimin e zhvillimit normal të mbledhjes, u vu në jetë nga një pjesë e opozitës.
Të frymëzuar nga njeriu i shpallur “Non Grata” nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët, ata kanë vendosur të ndjekin një rrugë pa krye.
Tek po flisja sot për një problem të banorëve të zonës sime, u pengova të komunikoj normalisht dhe të transmetoj kërkesat e komunitetit.
Nuk është problemi vetëm tek një koleg, i cili tentoi të më ndërpriste fjalën, por tek mentaliteti i një grupi njerëzish.
Këta janë shkëputur përfundimisht nga hallet dhe problemet e qytetarëve dhe përfaqësojnë në parlament hallet e tyre, ose ca më keq, hallet e Saliut, i cili është fajtori real për kaosin e sotëm.
Unë e kam për nder të përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë popullin e qarkut të Vlorës, i cili më besoi detyrën e vështirë të jem zëri i tyre në qeverisje.
Askush nuk mund ta pengojë funksionimin normal të parlamentit dhe angazhimin tonë të përbashkët për të miratuar politika në dobi të qytetarëve.
Me një opozitë destruktive, ajo që vuan është demokracia. Këta jo vetëm nuk kontribuojnë pozitivisht, por nxjerrin pengesa duke penalizuar në rradhë të parë votuesit e tyre.
Janë e keqja e vetes!
Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre: Kurrë më mbrapa, VETEM PERPARA!
Lini një Përgjigje