TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2025, 10:05

Zaptimi i hapësirave publike, Rama urdhër të prerë bizneseve: Hiqni tavolinat dhe karriget

Shkruar nga Pamfleti

Zaptimi i hapësirave publike, Rama urdhër të prerë

Pas takimeve brenda në Bashkinë e Vlorës, Rama ka inspektuar lagjen historike ‘Muradie’. Rama dëgjohet të kërkojë lirimin e hapësirave publike, duke dhënë porosi për heqjen e tavolinave dhe karrigeve.

Ditët e fundit, Rama ka shtuar kritikat dhe ka paralajmëruar masa nëse nuk do të lirohen hapësirat publike në Vlorë e qytete të tjera.

Ndërkohë, aksioni i bashkisë Vlorë për lirimin e hapësirave publike është zhvilluar me intensitet edhe gjatë natës. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, shëtitorja bregdetare “Lungomare” është kthyer në epiqendrën e këtij operacioni, ku vihet re një prani e konsiderueshme e zyrtarëve dhe drejtuesve të Bashkisë së Vlorës.

Vetëm pak orë më parë, gjatë ditës së dielë, kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, bëri një paralajmërim të prerë për të gjithë subjektet private që kanë zaptuar hapësirat publike. Ai deklaroi se nuk do të ketë më asnjë tolerim për bizneset që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, sidomos në zonat e dedikuara për këmbësorë.

Nga terreni duket qartë se aksioni nuk po kufizohet vetëm në orët e ditës, por po vijon me ritme të larta edhe gjatë natës, duke zgjatur deri në orët e para të mëngjesit. Ky operacion, sipas Bashkisë së Vlorës, synon t’i kthejë qytetit dhe banorëve hapësirat publike të uzurpuara prej vitesh, veçanërisht përgjatë bregdetit që gjatë sezonit veror frekuentohet masivisht nga pushues vendas dhe të huaj.

 

Lini një Përgjigje