
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po zhvillohet gara për Avokatin e Popullit, duke akuzuar publikisht drejtuesit e partisë së tij për manipulim, pazar dhe hipokrizi. Në qendër të reagimit të tij është Adriana Kalaja, një prej kandidateve që gëzon mbështetje të gjerë në bazën demokrate, por që, sipas Spahos, po sabotohet nga kupola e PD-së.
“Adriana është një kandidaturë shumë e mirë, por PD nuk do që të zgjedhë njeriun, por shërbëtorin”, deklaron Spaho, duke akuzuar se partia po përsërit të njëjtën skemë që përdori edhe më parë me përfaqësues të të përndjekurve politikë – premtime boshe dhe justifikime të paqena se kandidatët nuk pranohen nga PS.
Sipas tij, PD është futur në një lojë të shëmtuar, ku në fund do të votohet një emër që pëlqehet nga Partia Socialiste, ndërsa më pas do të festohet sikur është arritur një fitore politike. “Në fund do votojnë ndonjë kulish që e do PS-ja. Pas votimit do mburremi që ja arritëm të marrim Avokatin e Popullit”, ironizon Spaho.
Postimi i plotë
Adriana është një kandidaturë shumë e mirë. Por PD nuk do që të zgjedhë njeriun, por shërbëtorin.
Së pari, luajti nja 2-3 vjet me përfaqësuesin e të përndjekurve politikë. I dha fjalën, por tani "justifikohet" që ty nuk të pranon PS.
Me të njëjtën skemë po luan me zonjën e nderuar Kalaja.
Në fund do votojë ndonjë kulish që e do PS.
Pas votimit do mburremi që ja arritëm të marrim Avokatin e Popullit.
Lojëra për të nxjerrë zorrët e barkut nga Muli i doktorit.
Mos u merrni me thirrje në Facebook, por shkoni dhe u bëni presion udhëheqësve hipokritë të PD.
Shko, Eda, dhe u thuaj që kryesia e degës 9 dhe ti si kryetare do dorëhiqeni nëse PD nuk zgjedh zonjën Kalaja.
Fjalëtorët (foltoret) në Facebook nuk vlejnë.
Zonja Kalaja ju duhet vetëm për protesta dhe për të bërë ndonjë foto.
Pushtetin e zagarëve të PS e ndajmë vetëm me zagarët tanë.
Lini një Përgjigje