Kosova28 Maj 2024, 10:25

Albin Kurti për ‘Financial Times’: SHBA dhe BE po tregohen ‘shumë të buta’ me Serbinë!

Shkruar nga Pamfleti

Albin Kurti për ‘Financial Times’: SHBA dhe BE po tregohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregohen shumë të buta ndaj Serbisë. Presidenti i Kosovës theksoi se BE dhe SHBA duhet t’i vendosin Serbisë një ‘ultimatum’ që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Brukseli dhe Uashingtoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t'i vendosin një afat kohor Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Kurti në një intervistë për Financial Times.

Kurti shprehet se Beogradi duhet të qëndrojë në anën e perëndimit kundër Moskës në mënyrë që t'i japë Kosovës sigurinë se është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve.

“Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Serbia duhet të tregojë përkushtim ndaj integrimit në BE duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ndaluar përpjekjet për t’u ulur në “tre ose katër stola”.

Kryeministri Kurti ka refuzuar të tregojë nëse Policia e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu, por ka insistuar se ankesat e serbëve për praninë e tyre po pakësohen.

Javën e kaluar policia kosovare bastisi disa degë të një banke serbe në veri të vendit dhe konfiskoi monedhën serbe. Dinari ishte i jashtëligjshëm si mjet këmbimi në Kosovë në fillim të këtij viti, edhe pse shumë prej serbëve të Kosovës paguhen me paga ose pensione në atë valutë. Kosova përdor euron.

Kurti pranoi se ka “ndonjëherë dallime” me aleatët e tij evropianë dhe amerikanë “kur bëhet fjalë për strategjitë, operacionet dhe taktikat në terren nga njëra anë, dhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Serbinë”, por jo për vlerat apo parimet.

Ai tha se qasja "e butë" e perëndimit ndaj Serbisë ishte "pasojë e shpresës së madhe se sa më shpejt Serbia do të hidhet në kampin demokratik perëndimor. Sipas mendimit tim, ne kemi pritur shumë gjatë për të qenë ende me shpresë.”

albin kurti financial time shba be serbi