Kosova31 Korrik 2023, 21:09

Dalin dokumentet/ Si Devollët po “shkëlqejnë” falë Beogradit, çdo biznes i regjistruar në Serbi

Shkruar nga Pamfleti
Dalin dokumentet/ Si Devollët po “shkëlqejnë”
Blerim e Shkëlqim Devolli

Gazetari Milaim Zeka ka publikuar një dokument, që tregon se janë shumë kompani në Kosovë që bazën e kanë në Serbi, por në krye janë Devollët...

Dalin në dritë të tjera fakte që fundosin vëllezërit Blerim e Shkëlqim Devolli. Në Kosovë po zhvillohen protesta dhe ka shumë kritika për mbylljen e “Klan Kosovës”, por në dritë po dalin të tjera detaje që tregojnë se si dy oligarkët lulëzojnë falë Serbisë. Televizioni po mbyllet sepse kompania që e ka në pronësi rezulton e regjistruar në Serbi dhe adresa nuk është deklaruar e saktë.

Ndërkohë gazetari Milaim Zeka ka publikuar një dokument, që tregon se janë shumë kompani në Kosovë që bazën e kanë në Serbi. “Shikoni se kush e ka by**ën në Kosovë, kokën në Beograd”, shkruan ai.

Padyshim në krye janë kompanitë e vëllezërve Devolli. Siç shihet nga lista “The Bussines club LLC”, “Globosos SHPK”, “Faico SHPK” me drejtues Blerim Devollin janë të regjistruara në Serbi. Po ashtu “Devolli Group” me administratore Erza Devolli dhe “Vitaland LLC” me administratore Jona Devolli rezultojnë të regjistruara në Serbi. Pra duket se “perandoria” Devolli është ngritur në Serbi.

Dalin dokumentet/ Si Devollët po “shkëlqejnë”
Dokumenti i publikuar nga gazetari Zeka

Sa i takon “Klan Kosovës”, falë një investigimi të bërë nga “KosovaNews”, rezulton se pronësia e televizionit “Klan Kosova” është tepër e ndërlikuar. Ajo fillon nga një shtetas shqiptar kur është hapur në vitin 2008, blihet nga një shtetas i Kosovës në vitin 2013, pastaj ai pronësinë e kalon në kompaninë e tij të hapur në Maqedoni, ku është i regjistruar si shtetas i Serbisë. Pastaj shitet në vitin 2015 në parajsat fiskale në ishujt Virxhin dhe përfundon përsëri në Maqedoninë Veriore në vitin 2021, ku edhe pronari aktual e ka të regjistruar në pronësi të kompanisë së tij të hapur me pasaportë serbe me adresë “Djakovica, Serbia” (srb. Gjakovë, “Serbi” sic.) dhe ku sipas dokumenteve figuron se kjo kompani e inkorporuar në Maqedoninë e Veriut si shpk një-anëtarëshe (DOOeL) është një shtetas i huaj dhe atë nga Serbia!

Po, Po. Nga Serbia, ku adresa a pronarit figuron si: “Ul. Hisni Zajmi, Djakovica, Serbia”. Pra sipas të dhënave zyrtare pronar “me letra” i Klan Kosovës rezulton të jetë z. Kushtrim Gojani, i cili pronësinë e Klan Kosovës e ka në një kompani me veprimtari hollding në Maqedoninë Veriore. Gojani këtë kompani e ka regjistruar si investim i huaj nga Serbia, ku si adresë e tij në cilësinë e pronarit dhe drejtorit figuron: Rr. Hysni Zajmi në Gjakovë, Serbi, por që qyteti jug-perëndimor i Kosovës, sipas akteve ligjore që ai ka nënshkruar, na qenka në Serbi.

devollet serbi