
Drafti sekret i Berlinit dhe Uashingtonit parashikon një Kosovë gjysmë-federale, me veri autonom sipas modelit Donbas–Tirol, nën garancinë e SHBA, Rusisë, Gjermanisë dhe Kinës.
Një dokument i ri diplomatik që po qarkullon në Ballkan zbulon arkitekturën e kompromisit të madh pas mbylljes së luftës në Ukrainë: Rusia nuk merr territor, por fiton autonomi të garantuar; i njëjti model projektohet për Veriun e Kosovës. Plani i hartuar në Berlin parashikon president rajonal, parlament lokal dhe pushtet të zgjeruar në veri, ndërsa Kosova futet në NATO. Një konfigurim që ndryshon përfundimisht ekuilibrat e Ballkanit dhe shënon kthimin e Gjermanisë si fuqi negociuese në rendin e ri botëror.
Në qendrat diplomatike të Berlinit, Uashingtonit dhe disa kryeqyteteve të Ballkanit po qarkullon prej javësh një dokument që ka bërë shumë politikanë të heshtin dhe disa të tjerë të frikësohen.
Një plan i ri, më i qartë se çdo draft i mëparshëm, i cili parashikon se pas përfundimit të konfliktit në Ukrainë, çështja e radhës që do të futet në pakon e “Rendit të ri botëror“ është Kosova.
Në këtë dokument, që sipas burimeve diplomatike është hartuar në Berlin dhe më pas shpërndarë në disa ambasada të rajonit, nuk bëhet më fjalë për Asociacionin e Komunave Serbe, një projekt i mjegullt që rrezikonte të kthehej në një kalë troje permanent, por për një autonomi të mirëfilltë territoriale në Veriun e Kosovës, të ngjashme me modelin e Tirolit të Jugut në Italinë e Veriut.
Një rajon ku shteti qendror ka sovranitet simbolik, ndërsa pushteti real, nga taksat te politikat publike, mbetet në duart e autoriteteve lokale. Ky model është përmendur shpesh në biseda të mbyllura diplomatike si shembull i funksionimit të një autonomie të thelluar që nuk e cenon integritetin formal të shtetit, por që krijon një realitet të ri politik brenda kufijve ekzistues.
Në mënyrë domethënëse, i njëjti koncept pritet të zbatohet në Ukrainë si pjesë e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës.
Sipas draftit me 28 pika, që thuhet se kancelari gjerman Friedrich Merz i ka diskutuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me Donald Trump, Rusia nuk do të marrë sovranitet mbi Donbasin apo Donjeckun. Kufijtë nuk do të ndryshojnë. Ajo që do të fitojë Moska është e drejta për ndikim në një rajon autonom brenda territorit ukrainas, ku institucionet lokale do të kenë pushtet të zgjeruar, ndërsa garantët ndërkombëtarë, SHBA, Rusia, Gjermania dhe Kina, do të mbikëqyrin funksionimin e marrëveshjes.
“Autonomia është kufiri final“, ka deklaruar Merz, sipas burimeve evropiane, një mesazh i qartë për Trump se Gjermania nuk pranon asnjë formë aneksimi rus.
Po pikërisht ky model, autonomia si kompromis ndërmjet shtetit dhe agresorit, por pa ndryshuar kufij, është ai që po projektohet për Kosovën. Plani parashikon që Veriu të ketë një president rajoni, një parlament lokal, dhe administrim të të gjitha taksave përveç doganës kufitare. Rajoni autonom do të ketë kompetenca në arsim, polici, zhvillim ekonomik dhe kulturë, duke funksionuar de facto si një nën-shtet brenda republikës, por pa të drejtë shkëputjeje. Në prapaskenë, kjo autonomi shihet si çmimi i paqes për të garantuar stabilitet afatgjatë në Ballkan dhe për të neutralizuar ndikimin rus në Serbi, e cila sipas të njëjtit plan do të trajtohet si një “Liban politik“, një vend ku Rusia dhe Perëndimi do të takohen për të balancuar interesat e tyre, pa e lejuar Beogradin të shndërrohet plotësisht në vasal të asnjërës palë.
Në këtë panoramë, roli i NATO-s mbetet çështja më delikate. Në dokument nënvizohet se për Kosovën parashikohet anëtarësim i plotë në NATO, me garanci të përbashkëta të SHBA-së, Rusisë, Gjermanisë dhe Kinës për funksionimin e autonomisë. Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të riformatohet prania ushtarake amerikane, sidomos ajo e bazës Bondsteel, e cila është konsideruar për dy dekada si aseti më i rëndësishëm strategjik i Uashingtonit në Ballkan. Diskutimet për një ripozicionim të forcave amerikane janë reale dhe pjesë e të njëjtit plan të ri global të sigurisë, megjithëse shumë elemente mbeten ende të paqarta.
Ajo që është e qartë, sipas burimeve që kanë parë draftin, është se Kosova do të transformohet në një shtet gjysmë-federal, ku veriu do të funksionojë sipas një formule të afërt me Donbasin autonom që po i imponohet Ukrainës. Dhe pikërisht ky realitet i ri politik shpjegon edhe ngërçin e brendshëm në Prishtinë, ku prej më shumë se një viti mungon vullneti për të marrë vendime të rënda. Askush nuk dëshiron të mbajë përgjegjësinë historike të firmosjes së marrëveshjes që do të ndryshojë përgjithmonë strukturën e shtetit.
Në fund të ditës, ky plan; pavarësisht formulimit të tij Teknik, është pjesë e një panorame shumë më të gjerë: krijimi i një harte të re politike ndërkombëtare, një lloj “Jalte të re“ ku fuqitë e mëdha po rishkruajnë rregullat e lojës, duke përdorur Ukraina dhe Ballkanin si terren eksperimentimi për kompromisin global.
Gjermania, e cila ka financuar për dekada paqen post-Dayton dhe ka bllokuar çdo tentativë për ndryshim kufijsh në rajon, po kërkon tani rolin e saj si arkitekte e rendit të ri. Merz e ka bërë të qartë se Evropa nuk do të lejojë kthimin e politikës së aneksimeve, por është gati të pranojë autonomi të thelluara si formë stabilizimi.
Nëse ky plan realizohet, Kosova nuk do të ndryshojë kufijtë, por do të ndryshojë vetveten. E ardhmja e saj politike do të vendoset jo në Prishtinë apo Beograd, por në tavolinat ku po nënshkruhet kompromisi i shekullit: një kompromis që mban firmat e Washingtonit, Berlinit, Moskës dhe Pekinit. Dhe kështu, historia po rikthehet – jo përmes luftërave të mëdha, por përmes marrëveshjeve që shndërrojnë shtetet në struktura të reja, të përshtatura me rendin global që po vjen./Pamfleti
"Fatet e kombeve të vogla dalin nga dyert e tragjedive të mldha",kjo nuk është gjë e re për kombin Shqiptar,kështu u vendos edhe në Kongresin e Berlinit pas luftës se dytë botërore.. Ky është qmimi kur je "i vogël" dhe merresh me shumë me vetveten se sa me realitetin e hifhur politik ku për politiken Kosovare e pse jo edhe gjithë Shqiptare mbi të gjitha kan Pushtetin..
Po per shqiptaret ne Luginen e Presheves do te kete autonomi t3 zgjeruar. Po per shqipteret ne Maqedoni po per shqiptaret ne Maline Zi.. Do kete te njejeten autonomi.. Cfare thote dokumenti i Berlinit.