Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 62 vota për, 32 kundër dhe asnjë abstenim, buxhetin prej rreth 4 mld euro, të paraqitur nga Qeveria Kurti.
Amendamentet që morën përkrahje ishin vetëm ato që kishin mbështetjen e Komisionit Funksional, atij për Buxhet, por jo amendamentet që ishin pa përkrahje nga ky komision.
Në fillim të seancës ministri i Financave, Hekuran Murati u bëri thirrje deputetëve që të mbështesin vetëm amendamentet që kanë pasur edhe përkrahjen e Ministrisë, por jo të tjera që mund të kenë implikime buxhetore, derisa projektligjin e quajti emergjent e që do të rishikohet shpejt.
Ministri i Financave ka zbërthyer kategoritë, në të cilat do të shpenzohet buxheti.
“Paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transferta 1 miliard e 358 milionë euro dhe shpenzime kapitale 998.4 milionë euro, apo 807 milionë euro të financuara nga granti apo buxheti i rregullt si dhe 100 milionë euro të financuara nga klauzola e investimeve”, tha Murati para ligjvënësve.
Grupi Multietnik mbështet draft-buxhetin
Përfaqësuesi i grupit Multietnik Artan Asllani, tha se nuk kanë paraqitur asnjë amendament për këtë herë por se e përkrahin buxhetin.
“Ashtu siç kemi dhënë mendimin tonë për rishikim e parë ashtu është edhe për rishikimin e e dytë, ne do ta mbështesim projektligjin për buxhet edhe në rishikim të buxhetit bazuar në grupin multietnik që vijnë nga komunitete të ndryshme masandej do t'i paraqesim kërkesat tona në rishikim të buxhetit andaj për këtë kohë nuk kemi paraqitur asnjë amendament si gurp parlamentar”, ka thënë Asllani.
Tahiri: Buxheti 2026, presim bashkëpunim të qeverisë
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën për leximin e dytë të buxhetit për vitin 2026, ka theksuar se pret bashkëpunim nga qeveria, përndryshe procesi do të konsiderohet mashtrim.
“Për buxhetin kemi folur në seancën e kaluar dhe nuk dua të ndalem këtu, mirëpo qytetarëve të Kosovës duhet t’ju them dy porosi që i ka Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. E para, ashtu siç u kam thënë në seancën e diskutimit në lexim të parë për këtë buxhet, ky është buxhet i përgatitur në tetor dhe është provizor. Kjo është konfirmuar edhe nga kryeministri dhe ministri i Financave, ndërsa zotimi i qeverisë është se pas disa muajsh do të bëhet një rishikim i madh dhe i rëndësishëm për këtë buxhet”, tha ai.
LDK kundër buxhetit 2026
Shefja e Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku, në seancën për buxhetin e vitit 2026-të tha se nuk kanë votë “për” pasi që në komisionin për buxhet të një dite më parë nuk u morën parasysh 21 amendamentet e propozuara nga ta.
“Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka paraqitur 21 amandamente për projektin e ligjit për buxhet 2026 dhe nga këto 21 amandamente nuk kanë kaluar përmes komisioneve dhe gjithësisht Komisionit për Buxhet. Andaj me këtë rast ne ju bëjmë thirrje që t’i vëni amandamentet tona në votim në Kuvend, meqë besojmë thellësisht që amandamentet tona adresohen probleme reale të qytetarëve, kanë të bëjnë me arsimin, me shëndetësinë, me investime kapitale, kanë të bëjnë me rrjetet e digjitalizimit dhe të energjisë, andaj ju bëjmë thirrje që t’i vëni në votim në këtë Kuvend. Përndryshe buxhetin nuk e votojmë si të tillë, nuk e përkrahim“, tha Lushaku.
VV mbështet amendamentet për buxhetin e Prishtinës e Shtimes
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë se deputetët që ajo drejton do të mbështesin Projektligjin për Buxhetin, sipas propozimit të Qeverisë.
“Mbështesim edhe amendamentet në dakordësim edhe me Ministrinë e Financave të cilat adresojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe Shtimes pas përfundimit të obligimeve nga ana e këtyre dy komunave”, tha ajo.
Ndërkaq tha se të gjitha amendamentet tjera që janë adresuar qoftë edhe për tema që, sipas saj, janë prioritet edhe i kryeministrit Kurti dhe i Qeverisë, në dakordësim me Ministrinë e Financave do të adresohen e do të bëhen pjesë e buxhetit pas rishikimit, që tha se do të ndodhë gjatë këtij viti.
PDK tërheq 32 amendamente e propozuara
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, në fjalën e tij në seancën për leximin e dytë të buxhetit për vitin 2026 ka thënë se PDK nuk e mbështet dhe se i tërheq amendamentet.
Tahiri tha se as amandamenti i tyre për mbështetje financiare ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk mori votat e mjaftueshme për t’u futur në këtë buxhet.
“Partia Demokratike e Kosovës edhe në diskutimin paraprak i ka paraqitur vërejtjet e veta, në kuptimin profesional, teknik po edhe reflektime të nevojave që i ka pasur buxheti. Ne kemi pritur që brenda dy leximeve ka me pasur reflektim dhe ndryshime pozitive që me u reflektua dhe me u avancu në aspekt profesional buxheti, përtej saj deputetët e PDK-së me shumë përgjegjësi, me shumë profesionalizëm dukë patur nevojat e qytetarëve përmes amendamenteve gjithsej 32 i kanë propozuar në komisionin për buxhet në komision nuk është që kanë gjetur vullnet dhe mbështetje amendamentet që i kanë trajtuar temat dhe që janë çështjet jetike shumë të nevojshme, shumë të rëndësishme edhe për institucionet edhe për shtetin, gjithashtu edhe amendamenti për rritjen shtesë të mbështetjes financiare çlirimtarët në Hagë nuk është që ka gjetur mbështetje prandaj ne të gjithë deputetët e PDK-së i tërheqim të gjitha amendamentet dhe nuk e mbështesin këtë buxhet”, tha Tahiri.
Lini një Përgjigje