Kosova27 Tetor 2023, 17:38

“Serbia refuzoi propozimin e BE”, Kurti pranon draftin e ri të Asociacionit: Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës!

Shkruar nga Pamfleti

“Serbia refuzoi propozimin e BE”, Kurti pranon draftin e ri të

Nëse dje në Bruksel do të kishte nënshkrim të marrëveshjes, drafti i Asociacionit, i paraqitur nga diplomatët perëndimorë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për mediat pasditen e sotme, ku ka dhënë detaje lidhur me takimet e djeshme në Bruksel. Ai tha se Serbia refuzoi sërish ta nënshkruante marrëveshjen, përfshirë draftin e Asociacionit.

Gjatë fjalës së tij ai deklaroi se emisarët amerikano-evropianë e kanë siguruar atë, se drafti i Asociacionit është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës së Kosovës.

Më tej, ai shtoi se drafti i Asociacionit, i paraqitur nga diplomatët perëndimorë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë nëse dje në Bruksel do të kishte nënshkrim të marrëveshjes.

Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës deklaroi se në takim me liderët e Evropës ka kërkuar dënim të Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, teksa shtoi se po ashtu ka kërkuar ekstradim të terroristëve në Kosovë që ata të përballen me drejtësinë.

Ndërsa duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, kundërshton pranimin në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, Kurti i ka cilësuar si kërcënim direkt nga Serbia dhe shkelje të marrëveshjeve.

Mbrëmë morëm vesh se presidenti i Serbisë kërcënon dhe i përmbush ato kërcënime me këto letra që thonë tre gjëra. Serbia nuk e njeh Kosovën, është kundër anëtarësimit të Kosovës në kombet e Bashkuara dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, kjo e treta është një shtesë se dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët.

Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme, se integriteti territorial i Kosovës, na qenka i papranueshëm. Kosova më 24 shtator ka përjetuar cenim të integritetit territorial, të sovranitetit shtetëror dhe të sigurisë kombëtare. Në vend që të kemi ekstradim të grupit të Radoiçiçit, ne kemi kërcënime të tilla nga Brukseli të presidentit të Serbisë për integritetin territorial të Kosovës. Me ato deklarata është shkelur edhe marrëveshja bazike dhe ajo e Ohrit, ku për integritetin territorial thuhet në pinën e tretë, citon “ të vetëdijshëm për pacenueshmërinë e kufijve dhe respektin për integritetin territorial dhe sovranitetit dhe njohjen e pakicave kombëtare si një kusht bazë për paqen”. Deklarata e djeshme është shkelje e pikës së tretë”, tha ai.

Më tej kryeministri Kurti ka refuzuar të japë detaje për planin e ri evropian, duke sqaruar se kjo është kërkuar nga emisarët.

E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, që deri sa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema do ta japë gjithnjë Gjykata Kushtetuese”, ka përfunduar Kurti.

Sa i përket masave ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se ka një dakordim informal në BE që ato janë të padrejta ndaj Kosovës.

Ka një dakordim informal në BE që masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe të dëmshme”, ka thënë ai në konferencë.

kurti bruksel takimi asociacioni