TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Shtator 2025, 22:41

SHBA-ja kërkoi ndërrim kursi, Kosova ende asnjë sinjal ndryshimi

Shkruar nga Pamfleti

SHBA-ja kërkoi ndërrim kursi, Kosova ende asnjë sinjal ndryshimi

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse do të ketë ndryshim kursi lidhur me veprimet që çuan në pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Zyrën e kryeministrit nuk treguan as nëse kjo çështje planifikohet të shtrohet në takimet që Kurti po i zhvillon në SHBA në margjina të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Deri tani në asnjërin prej takimeve të realizuara, për të cilat qeveria lëshoi komunikata, nuk përmendet Dialogu strategjik. Po ashtu deri tash kanë munguar edhe takimet me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, raporton "KOHA". 

Një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit tha për KOHËN ditë më parë se “Kurti shkeli vijën e kuqe”, me përpjekjen për ta penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, veprim ky që çoi në vendimin e SHBA-së për pezullim të Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën. Zyrtari i DASH-it ka thënë se dyert e bashkëpunimit janë të hapura nëse kryeministri në detyrë, Kurti, ndërmerr veprime konkrete.

Në ditën e dytë të qëndrimit në New York, Kurti së bashku me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë takuar ministrin e Jashtëm të Sulltanatit të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Al Busaidi.

Në SHBA po qëndron edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në tryezën e organizuar nga zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, me titullin “Sistemi Botëror i Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si të rregullohet”.

“Jemi shumë krenarë, që jemi shteti i parë dhe i vetëm në Evropë, që ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në për shtete të treta, për ta përkrahur agjendën e presidentit Trump për luftimin e migracionit ilegal. Jemi të gatshëm të përkrahim shtetet që kanë nevojë për përkrahjen e Kosovës, ndonëse jemi shtet i vogël”, ka thënë Osmani.

Osmani shtoi tutje se Kosova është shteti i parë që ka harmonizuar me SHBA-në listën e organizatave terroriste, duke përfshirë edhe tre urdhrat e fundit ekzekutivë të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Kur dikush quhet organizatë terroriste apo kartel, pasi rrezikon sigurinë e SHBA-së, atëherë quhet terroriste edhe në Republikën e Kosovës. Ky lloj bashkëpunimi na duhet, me qëllimin që sistemi të përdoret për të mbrojtur ata që kanë nevojë...Të mos lëmë bashkëpunimin mes rrjeteve kriminale të jetë më i fortë sesa bashkëpunimi mes shteteve”, ka thënë ajo.

Më herët, Osmani tha se pati një bisedë përmbajtjesore me sekretarin e shtetit amerikan, Marco Rubio në kuadër të pritjes së organizuar nga presidenti Trump, porse s’e përmendi edhe Dialogun strategjik. Ky takim nuk figuron edhe në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan e as në profilin e Rubios në rrjetet sociale.

 

Lini një Përgjigje