Brukseli zbret në Tiranë mes protestave për mjedisin dhe qeverisjen. Eurodeputetët shprehën shqetësime për korrupsionin dhe standardet demokratike në vend. Mesazhet e tyre u interpretuan si sinjal i fortë politik ndaj qeverisë shqiptare...
Kur mijëra protestues u mblodhën për të tridhjetën natë radhazi përpara Kryeministrisë në Tiranë, turma nuk priste vetëm fjalimet e zakonshme të aktivistëve. Për herë të parë që nga nisja e protestës kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në skenën e improvizuar u ngjitën edhe anëtarë të Parlamentit Evropian.
Pjesëmarrja e delegacionit evropian erdhi si një akt solidariteti publik, vetëm pak ditë pasi Parlamenti Evropian miratoi më 17 qershor rezolutën për raportin e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë për vitin 2025.
Në këtë rezolutë shprehet shqetësim i thellë për zhvillimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Eurodeputetët u bënë thirrje autoriteteve shqiptare të shfuqizojnë ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, të cilat hapin rrugë për ndërtimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë dhe dobësojnë mbrojtjen e mjedisit.
Dokumenti kërkon gjithashtu një moratorium të menjëhershëm mbi lejet e reja, punimet ndërtimore dhe projektet zhvillimore në zonat e mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave problematike dhe garantimin e përputhshmërisë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.
Delegacioni i Parlamentit Evropian në Tiranë u udhëhoq nga Tineke Strik dhe përbëhej nga Jutta Paulus, Cristina Guarda, Anna Strolenberg, Nicolae Ștefănuță dhe Daniel Freund. Atij iu bashkuan edhe Boris Mijatović (anëtar i Bundestagut gjerman), Jelena Miloš (deputete në parlamentin kroat), Hanna Partanen (këshilltare bashkiake në Finlandë) dhe Vula Tsetsi (bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër Evropiane).
“Populli shqiptar është gati për Evropën, por qeveria jo”
Duke iu drejtuar protestuesve, kryetarja e delegacionit, eurodeputetja holandeze Tineke Strik, tha se mobilizimi qytetar tregon përkushtimin e shoqërisë shqiptare ndaj vlerave evropiane.
“Jemi të impresionuar nga fakti që kaq shumë njerëz refuzojnë shkatërrimin e kësaj pasurie natyrore për interesa të investitorëve të huaj të pasur”, u shpreh ajo. Sipas Strik, hetimet mediatike tregojnë se çështja tejkalon një projekt turistik dhe ngre dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe krim të organizuar.
“Fakti që qytetarët shqiptarë nuk e pranojnë këtë është një shenjë shprese dhe një dëshmi se Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Evropian. Do ta çoj këtë mesazh në Bruksel: populli shqiptar është gati për BE-në, por qeveria ende jo”, deklaroi Strik.
Ajo shtoi se Parlamenti Evropian ka kërkuar moratorium dhe se presioni politik do të vazhdojë në institucionet evropiane. Eurodeputetja Anna Strolenberg e cilësoi protestën si një mbrojtje të vlerave themelore të BE-së.
“Ajo për të cilën po ngrini zërin është vetë Evropa: mbrojtja e natyrës, lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe demokracia”, tha ajo, duke paralajmëruar se shkeljet mjedisore mund të ndikojnë në procesin e anëtarësimit.
“Nëse këto standarde shkelen, çdo shtet anëtar mund të përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar procesin”, shtoi Strolenberg. Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus u shpreh se natyra shqiptare “nuk është në shitje”. Ajo tha se kishte marrë një email zyrtar nga qeveria shqiptare me kërkesën për të mos mbështetur disa amendamente të rezolutës që lidhen me zonat e mbrojtura dhe projektin në Zvërnec.
“Ne votuam pro atyre amendamenteve sepse ligji evropian nuk mund të blihet. Vazhdoni qëndresën tuaj; ne do të bëjmë çmos t’ju mbështesim në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë”, tha Paulus.
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda e cilësoi protestën si një shembull të mbrojtjes së tokës dhe të drejtave të njeriut përballë korrupsionit. Ajo falënderoi diasporën shqiptare në Itali dhe përcolli një mesazh për Kryeministrin: “Në Evropë nuk hyhet duke u përkulur apo duke i shërbyer dikujt; në Evropë hyhet me kokën lart, sepse e meritoni”, deklaroi ajo.
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Nicolae Ștefănuță, e krahasoi “Revolucionin e Flamingove” me protestat kundër projektit minerar të Roșia Montană në Rumani.
“Kjo nuk është më thjesht një kauzë mjedisore, por një çështje kombëtare që prek shpirtin e vendit tuaj dhe të Evropës”, tha ai.
Ai shtoi se pushteti i përket qytetarëve dhe se ai dobësohet kur ata mobilizohen.
“Pse ne jemi këtu, ndërsa Edi Rama mungon? Sepse ka frikë. Por mos harroni: nëse ai ka frikë, ju duhet të keni guxim. Rruga është e gjatë, por jeni në anën e duhur të historisë”, përfundoi ai.
Inspektimi në Zvërnec: Dëme të konsiderueshme në terren
Të nesërmen, delegacioni vizitoi zonën e Zvërnecit për të parë nga afër efektet e punimeve të nisura për ndërtimin e një resorti. Në një deklaratë për shtyp, Tineke Strik i cilësoi dëmet e konstatuara si shumë shqetësuese.
“Është e trishtueshme të shohësh sa shumë është shkatërruar në pak kohë: rrugë e re, pemë të prera dhe kanali mes detit e lagunës i ngushtuar pothuajse deri në bllokim. Tharja e ligatinave ka nisur tashmë”, tha ajo. Sipas saj, dëmet përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta të Direktivave të BE-së për Shpendët dhe Habitatet.
Takimi me ministrin: Asnjë garanci për pezullimin e punimeve
Po të mërkurën, delegacioni i PE-së zhvilloi një takim me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, për të kërkuar sqarime mbi procedurat e ndjekura. Pas takimit, eurodeputetët u shprehën se shqetësimet e tyre mbeten të mëdha.
Tineke Strik tha se ministri argumentoi se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se, kur të dorëzohet, do t’i nënshtrohet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe konsultimit publik.
“Si mund të vlerësohet ligjshmëria e një ndërtimi kur punimet kanë nisur pa projekt përfundimtar? Kjo nuk ka logjikë”, tha ajo. Ajo shtoi se pyetja për pezullimin e punimeve nuk mori përgjigje të qartë.
Sipas saj, ekziston rreziku që punimet të vazhdojnë për të krijuar një fakt të kryer para negociatave për Kapitullin 27 (Mjedisi). Ajo njoftoi se do ta informojë Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos. “Moratoriumi duhet të zbatohet në praktikë. Nuk mjafton vetëm besimi, duhet monitorim real”, përfundoi Strik.
Një muaj proteste e “Revolucionit të Flamingove”
Ajo që nisi më 31 maj si një reagim qytetar kundër ndërtimeve në Pishë Poro-Nartë dhe Zvërnec është shndërruar në një nga lëvizjet më të gjata dhe më të qëndrueshme protestuese në Shqipëri që nga vitet ’90.
Kërkesat e protestuesve janë strukturuar në disa pika kryesore. Së pari, kërkohet dorëheqja e Kryeministrit dhe krijimi i një qeverie tranzitore teknike dhe jopartiake.
Së dyti, ndryshime kushtetuese përmes referendumit për të garantuar barazinë para ligjit. Së treti, reformë e thellë në Kodin Zgjedhor, financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të Kryeministrit në maksimum dy mandate.
Së katërti, kërkohet shfuqizimi i ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, si dhe rishikimi i paketës për investimet strategjike dhe kuadrit për trashëgiminë kulturore. Së pesti, kërkohet një kontratë e re sociale mes shtetit dhe qytetarëve, e hartuar nga ekspertë të pavarur.
Që nga 31 maji, Policia e Shtetit ka proceduar rreth 150 protestues, pavarësisht natyrës kryesisht paqësore të tubimeve. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjete sociale, duke e quajtur lëvizjen “revolucioni imagjinar i flamingove” dhe duke e shoqëruar me postime ironike dhe satirike ndaj protestuesve./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”
ky i gjen keto idiotlleqe, qe shqiperia do futet ne evrope nga rusia dhe irani dhe jo nga qeveria, ju paska zene vapa